Vetëvendosje: Policia e Mustafës fshehurazi po i arreston aktivistët tanë

Autori:Gazeta Fjala

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve të saj gjatë ditës së sotme dhe mbrëmjes së të hënës.

“Qeveria e frikacakëve Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, duke e parë që protesta e 17 shkurtit do të jetë masive dhe e fuqishme, po e vazhdon fushatën e përndjekjeve dhe arrestimeve të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDSOJE!”.

“Gjatë natës, fshehtazi, Policia e Mustafës dhe Thaçit, e urdhëruar nga EULEX-i, hyri në shtëpitë e shumë aktivistëve për t’i arrestuar ata. Pas propagandës e shpifjeve policeske se kinse paskan informata për përgatitjen e akteve të dhunës në protestë, ata vazhduan me aksionin e tyre policor për të mbjellë frikë. Sot herët në mëngjes, u arrestua në banesën e tij drejtuesi i Grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, ndërkohë që në Vushtrri policia arrestoi aktivistin Kasim Uka” thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

Sipas Vetëvendosjes, kjo qeveri po i numëron ditët e saja të fundit në pushtet. Dhe secilën prej këtyre ditëve po e vendos në funksion të projektit kriminal të Vuçiqit, ‘Zajednicës’. Kushdo që e kundërshton Serbinë në Kosovë po arrestohet.

“Aksioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 2009 kundërshtonte Protokollin e bashkëpunimit që kishte nënshkruar EULEX-i me policinë kriminale të Serbisë, pra për ta lejuar ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Ky protokoll mes tjerash parashihte këmbimin e informatave mes policisë së EULEX-it dhe asaj të Serbisë për aktivitetin policor” thuhet mes tjerash në reagim.

VV thotë se aktivistët e saj u arrestuan sot , një ditë para protestës së madhe kundër instalimit të Serbisë në Kosovë, dhe kundër kësaj qeverie që po e shtyn përpara një gjë të tillë.

Ata njëherit kërkuan  lirimin e menjëhershëm të deputetit Glauk Konjufca, të Frashër Krasniqit dhe Kasim Ukës, dhe ndaljen e menjëhershme të përndjekjes ndaj aktivistëve të Lëvizjes

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vetevendosje-policia-e-mustafes-fshehurazi-po-i-arreston-aktivistet-tane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala