Vetëvendosje: Policia e Kosovës ndalon shqiptarët të hyjnë në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Vetëvendosje njoftoi se sot rreth orës 11:00 në pikën doganore të Morinës, Policia e Kosovës ka arrestuar protestuesit që po vinin nga Tirana për të marrë pjesë në protestën e 17 shkurtit në Prishtinë.

Vetëvendosje thekson se si fillim ata kanë kontrolluar autobusin, ku kanë gjetur parullat protestuese, ndërkaq, më pas i kanë shoqëruar tre vetë nga pjesëmarrësit në zyrën e policisë.

“Protestuesit e tjerë janë kthyer me gjithë autobus në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe nuk iu është lejuar hyrja. Më pas Policia e Kosovës ka lëshuar një dokument në të cilin e ka shpallur person të rrezikshëm Bashkim Rodonin, dhe ia kanë ndaluar hyrjen në Kosovë. Bashkim Rodoni është artist, regjisor e muzikant”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, një tjetër pjesëmarrës, Gent Amzain e kanë arrestuar dhe kanë njoftuar se do ta çojnë në paraburgim në Prizren. Gent Amzai, nga Struga, është student i filozofisë në Tiranë.

“Të tjerëve ende nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje se pse po i ndalojnë. Ky veprim i Policisë së Kosovës është i turpshëm, dhe synon vazhdimin e politikës famëkeqe të distancimit të Kosovës prej Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vetevendosje-policia-e-kosoves-ndalon-shqiptaret-te-hyjne-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala