Vetëvendosje përkrahë protestën kundër Gjykatës Speciale

Autori:Avdyl Pajaziti

Të mërkurën, më 17 qershor organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizojnë protestë në mbrojtje të vlerave të Luftës Çlirimtare dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale. Lëvizja Vetëvendosje do ta përkrahë këtë protestë dhe kërkesat e saj.

Vetëvendosje konsideron se drejtësia duhet ta mishërojë dhe ta pasqyrojë të vërtetën historike.

“Themelimi i Gjykatës Speciale, përveç që krijon sistem paralel të drejtësisë në Kosovë, pa asnjë llogaridhënie institucioneve të Kosovës, ajo tenton ta shtrembërojë të vërtetën historike, duke e gjykuar luftën tonë çlirimtare. Të krijohet Gjykatë Speciale enkas për pjesëtarët e UÇK-së, paraqet drejtësi selektive dhe të njëanshme, rrjedhimisht padrejtësi. Në këtë kontekst, Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që i bëhet shtetit të Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë. Ajo ka mision historik e politik që t’i bëjë shqiptarët e Kosovës që kolektivisht të ndjehen fajtor, ashtu që ta pranojnë me turp instalimin e Zajednicës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

“E vërteta e pakontestueshme historike është se Kosova u okupua nga Serbia; shqiptarët e Kosovës Serbia i shtypi, i sulmoi, i dëboi dhe i masakroi. Populli shqiptar i Kosovës u organizua në luftë çlirimtare të karakterit të pakontestueshëm mbrojtës. Kjo ishte një luftë e drejtë. Kurse lufta e Serbisë ishte e padrejtë”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

Sipas VV-së, krimet duhen ndëshkuar dhe Republika e Kosovës duhet ta ndërtojë dhe kompletojë gjyqësorin e vet në mënyrë që asnjë krim të mos kalojë i pandëshkuar, pavarësisht kur ka ndodhur dhe ndaj kujt ka ndodhur.

“Por kjo në asnjë mënyrë nuk bën të ndodh përmes cenimit të thellë të sovranitetit të vendit dhe përmes instalimit të logjikës selektive kundër barazisë së qytetarëve. Ashtu siç i kanë trajtuar vendet tjera këto çështje ashtu duhet t’i trajtojë edhe Republika e Kosovës”, vlerëson Vetëvendosje.

VV përkrahë protestën e datës 17 qershor kundër themelimit të Gjykatës Speciale, dhe fton të gjithë anëtarësinë dhe qytetarët që të bashkohen në protestë, në ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vetevendosje-perkrahe-protesten-kunder-gjykates-speciale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala