Vetëvendosje krahason Policinë e Kosovës me atë të Miloshevicit

Lëvizja Vetëvendosje në një Konferencë për Media të mbajtur të dielën e ka krahasuar Policinë e Kosovës me atë të Miloshevicit.
“Sipas informacioneve nga qytetarët, dhjetëra personave u janë bastisur shtëpitë dhe janë arrestuar duke ushtruar dhunë mbi ta, qoftë gjatë arrestimit apo në stacione policore. Kjo i ngjan dhunës në protestat e paraluftës”, ka thënë Frashër Krasniqi, aktivist i kësj partie.
Spas Vetëvendosjes dhuna e Policisë së Kosovës është duke vazhduar edhe sot, 5 ditë pas protestës. “Kjo nuk po e zmbrapsë popullin, sepse nga informatat nga terreni, populli është edhe më i mobilizuar sesa në dy protestat e kaluara, për të protestuar të mërkurën”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, Visar Ymeri tha se kjo dhunë e Policisë është dëshmi e panikut të Qeverisë. “Qeveria është në panik, e frikësuar dhe tani e kemi një situatë kur të frikësuarit po tentojnë t’i frikësojnë qytetarët”, tha Ymeri, duke konstatuar se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë të frikësuar të përballen me Jabllanoviqin dhe Serbinë e të ndërmarrin veprime sovranizuese për shtetin e Kosovës.
Duke iu referuar dhunës së Policisë ndaj qytetarëve, Visar Ymeri tërhoqi vërejtjen se deri më tash asnjë polic nuk është raportuar apo hetuar për sjelljet e tyre brutale, dëshmitarë të së cilës janë të gjithë. Ai kërkoi nga Policia që t’i bëjë publikë emrat e të gjithë të arrestuarve dhe arsyet se pse ata po ndiqen dhe po mbahen në paraburgim. Njëkohësisht Ymeri iu bëri thirrje të gjitha organizatave vendore e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që të veprojnë, hulumtojnë dhe reagojnë karshi kësaj përndjekjeje policore dhe politike.
Në fund Visar Ymeri porositi se Qeveria e Kosovës dhe Isa Mustafa i kanë dy ditë që t’i plotësojnë kërkesat e protestës. “Isa Mustafa e Hashim Thaçi i kanë dy alternativa: Ose të ballafaqohen me Serbinë, që ta jetësojnë Republikën e Kosovës, ose do të ballafaqohen me qytetarët e bashkuar në protestë, në mënyrë që burimi i sovranitetit të jetë edhe ushtrim i sovranitetit, nëpërmjet protestës”, ka thënë Ymeri, i cili pritet të jetë shumë shpejtë edhe kryetar i kësaj partie.