Vetëvendosje fton për protestë kundër speciales

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media u ka bërë thirrje qytetarëve për të protestuar të premten kundër votimit të Gjykatës Speciale.
Sipas Vetëvendosjes nesër, në Kuvendin e Kosovës do të synohet ndryshimi i Kushtetutës, sipas kësaj partie, në dëm të Republikës.
“Kosovës po i imponohet një sistem paralel i drejtësisë, një gjykatë diferencuese në baza etnike që synon ndryshimin e të vërtetës mbi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Republika që nuk po mbrohet nga pushteti, duhet të mbrohet nga qytetarët.
Shteti dhe drejtësia nuk mund të ndërtohen nga jashtë dhe as nga politikanët e shantazhuar që janë në gjendje të pranojnë gjithçka vetëm për të ruajtur pushtetin e tyre”, thuhet në njoftimin për media të LVV-së.
Prandaj, thuhet në njoftim se Lëvizja Vetëvendosje mbështet protestën e thirrur nga veteranët e UÇK-së dhe i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen nesër nga ora 09:30 në sheshin “Skënderbeu” për të kundërshtuar votimin e Gjykatës Speciale.