Veteranëve të UÇK-së u transferohet 8 milionëshi i parë

Autori:Avdyl Pajaziti

Tetë milionët e zotuara nga qeveria e Kosovës për veteranët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pritet që shpejt të barten në llogarinë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Vendimi për bartjen e këtyre mjeteve është nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Qeveria e Kosovës vendosi në mbledhjen e së premtes, më 6 nëntor, që ta alokojë këtë shumë të parave për qëllim të pensioneve të veteranëve, por transferimin e tyre thuhet se po e zvarrit një nënshkrim i munguar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, meqë ai gjendet jashtë vendit.

Vendimi i qeverisë kishte gëzuar shumë veteranë të UÇK-së, të cilët shpresuan që shumë shpejt do t’i marrin edhe 170 eurot e premtuara si pension.

Kjo shumë u premtua që të ndahej për ta në mënyrë retroaktive, nga 1 tetori i këtij viti.

Ushtruesja e detyrës së Drejtorit të Departamentit për Kategori të Luftës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shqipe Krasniqi, tha për KALLXO.com se këto pensione ende nuk kanë filluar të ndahen.

Sipas Krasniqit, Ministria ka qenë në pritje të nënshkrimit të vendimit për alokim të fondit nga kryeministri Mustafa.

“Vendimi është marrë, sot Kryeministri ka nënshkruar vendimin, dhe pas këtij nënshkrimi pritet edhe bartja e mjeteve. Shumë shpejt do të fillojmë edhe me ndarjen e tyre në llogaritë bankare të aplikuesve”, thotë Krasniqi.

Deri tani për këtë pension kanë aplikuar 13.256 persona nga e gjithë Kosova.

“Ankesa më shumë se tash nuk ka pas kurrë, sepse secili rast që po vjen është më specifik se tjetri, e më i rëndë se tjetri”, thotë Krasniqi.

Përfituesit e parë të pensionit do të jenë 2.700 persona, ndërsa sipas Krasniqit, deri me 20 nëntor pritet që edhe 5 mijë të tjerët të kenë mundësi t’i marrin pensionet.

“Të gjithë ata që kanë aplikuar në muajin tetor, do i marrin pensionet në muajin nëntor”, thotë Krasniqi.

Ajo tha se ende po u duhet që të merren me listat e veteranëve dhe verifikimin e tyre, pasi që ka nga ata që janë përfitues te ndonjë pensioni tjetër ose që janë në punë.

Atyre që përfitojnë nga skema tjera sociale do u paguhet vetëm pjesa shtesë e pensionit të veteranit për ta arritur shumën prej 170 euro.

“Të gjithë përfituesit, mjetet janë të ndara për tre muaj, tetor, nëntor dhe dhjetor, dhe të gjithë do t’i marrin ato pensione, edhe pse mund të ketë vonesa”, thotë Krasniqi.

Ndërsa Udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të UÇK-së në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Faik Fazliu, tha se tani në lidhje me gjithë procesin e pensioneve të Veteranëve, do të merret Ministria e Mirëqenies Sociale.

“Ne e kemi bërë vetëm verifikimin e listave, dhe mundësinë e aplikimit për Lista. Pjesën tjetër e ka Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, thotë Fazliu për KALLXO.com.

Përfaqësuesit e Veteranëve nuk dinë se çka po ndodhë

Xhevdet Qeriqi i cili është edhe kryetar i këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, tha se ata nuk janë në dijeni se pse po bëhen vonesat për dhënien e pensioneve për veteranët.

“Qe 15 vite jemi duke pritur, qe një vit na u është thënë jo sot, jo nesër… kjo është e tepërt”, thotë Qeriqi për KALLXO.com.

Ai tha se ata nuk pajtohen akoma as me shumën prej 170 euro që u është ndarë pasi që e vlerësojnë se ajo është shumë e vogël.

Veteranët kanë kërkuar që pensioni i tyre të jetë 220 euro në muaj, sa paga mesare në vend, si dhe pagesa e pensioneve të fillojë nga 1 janari i këtij viti.

Por një gjë e tillë, nuk është aprovuar nga Qeveria.

“Ne do kërkojmë prapë rritje të kësaj shume, një familje 6 anëtarëshe nuk mund të jetojnë me kaq para”, thotë Qeriqi.

Ai kërkon që të shqyrtohet edhe vendimi që pensione nuk mund të marrin ata që janë në marrëdhënie pune.

“Edhe ata luftuan njëjtë si të tjerët, edhe atyre ju takon kjo shumë”.

Ndërsa Xhavit Jashari, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, tha se ata janë duke pritur me pranimin e të gjitha listave, ndërsa paralajmëroi se do të konsultohen edhe njëherë me të gjithë veteranët.

“Ne e dimë se kjo shumë nuk është ashtu siç na u premtua në fillim. Qeveria edhe njëherë i ndërroi fjalët e veta”, thotë Jashari për KALLXO.com.

Veteranët janë në pritje

KALLXO.com ka kontaktuar edhe veteranë të zonave të ndryshme, të cilët nuk janë të kënaqur me këto lista.

Ekrem Gashi, veteran i zonës së Pashtrikut, tha se vonesat e tilla veç edhe më shumë janë duke ia vështirësuar jetën.

Ai jeton me dy fëmijë të tjerë, të cilët duhet që t’i çojë në shkollë, t’ua sigurojë ushqimin si dhe të kujdeset për shëndetin tyre.

“Mbetem në pritje qe sa kohë, kemi aplikuar, por nuk besojmë më që bëhet ky pension as këtë vit”, thotë Gashi.

Ndërsa Hasan Morina, veteran nga komuna e Malishevës thotë se një shumë e tillë edhe pse e vogël, do t’i ndihmonte që t’i kalonte sado pak vështirësitë e jetës.

Ai jeton së bashku edhe me 14 anëtarë të tjerë në familje.

“Të gjithë jemi të pa punë, merremi me bujqësi, aq sa kemi mundësi”, thotë Morina.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veteraneve-te-uck-se-u-transferohet-8-milioneshi-i-pare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala