Veteranët e Kaçanikut të premten në demonstrata

Autori:Avdyl Pajaziti

Me uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) të premten Veteranët e Kaçanikut, të Shtimes dhe Shalës së Bajgores do të bllokojnë magjistralet Prishtinë-Shkup, Mitrovicë-Prishtinë dhe Prizren-Shtime.

Veteranët e Kaçanikut javë më parë patën paralajmëruar kryeministrin Isa Mustafa se në rast se nuk do të publikohet udhëzimi administrativ ata do të dalin në demonstrata.

Demonstratës së veteranëve të Kaçanikut do t’u bashkëngjiten edhe veteranët e Vitisë, Shtimes, Drenicës dhe Shalës së Bajgores.

Jeton Kuçi në emër të veteranëve të Kaçanikut ka treguar se nuk e kanë përkrahjen edhe të kryetarit të OVL-së Smajl Elezajt.

Kuçi ka tha se ditën e premte, kur do të mbahet demonstrata, të gjithë veteranët duhet të jenë me uniformë të UÇK-së.

Ai i bënë thirrje Policisë së Kosovës që të mos ketë ndonjë incident mes policisë dhe veteranëve. Në të kundërtën, ai porosit se dhunës do t’i përgjigjen me dhunë.

“Ju njoftomë që ne veteranët kemi vendos me mbajt demonstratën në ditën e premte, për me i blloku rrugët, siç kemi paralajmëruar më herët. Demonstratës do t’i bashkëngjiten veteranët e Vitisë, Shtimes, Drenicës dhe Shalës së Bajgores. Demonstrata do të organizohet në Grykë të Kaçanikut dhe në qytetet e tjera ku do të arrihet të bllokohet magjistralja Mitrovicë-Prishtinë, do të bllokohet nga veteranët e Zonës së Shalës. Magjistralja në Grykën e Carralevës që vjen në Magjistralen Prizren-Shtime. Ne u bëjmë thirrje gjithë veteranëve që t’ i bashkohen Këshillit protestues dhe që në këtë ditë të jenë të gjithë me uniforma të UÇK-së, në demonstrata. Gjithashtu ne i bëjmë lutje Policisë së Kosovës të mos ketë incident mes neve, sepse ne dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë”, tha Kuçi.

Ai ka treguar se edhe sot ka marrë premtime nga udhëheqësi i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve të UÇK-së se të mërkurën do të publikohet udhëzimi administrativ i veteranëve. Këtë premtim Kuçi e ka marrë në takimin që pati sot me kryetarin e OVL-së Xhavit Jashari, i cili përmes telefonit në prani të veteranëve ka biseduar me Çekun.

Por, ai tha se këto mbesin vetëm premtime dhe se këtyre premtimeve nuk u zihet besë.

“Sot ishim në takim me organizatën qendrore dhe kërkuam përkrahje nga OVL për me na përkrahë në demonstrata, por ata nuk na mbështeten në këtë rrugë. Njëkohësisht kryetari i OVL-së ka biseduar me Çekun në prezencën tonë, ku Çeku premtoi që do të nënshkruhet ditën e mërkurë udhëzimi administrativ, por ne këtij premtimi nuk i zëmë besë”, tha Kuçi për KosovaPress.

Në rast të nënshkrimit të udhëzimit administrativ të veteranëve, veteranët do të tërhiqen nga demonstrata. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veteranet-e-kacanikut-te-premten-ne-demonstrata/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala