Veteranët dhe Vetëvendosje protestojnë përpara Kuvendit

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të organizojnë protestë gjithëpopullore në shenjë pakënaqësie me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës ndaj 11 ish pjesëtarëve të UÇK-së, dhe njëherësh edhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Protesta do të mbahet sot në orën 10:00 në Sheshin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, para Teatrit Kombëtar në Prishtinës dhe pak metra larg Kuvendit të Kosovës.
OVL-UÇK-së vlerëson se po degradohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa sipas kësaj organizate, krimet dhe gjenocidi që ka shkaktuar Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës, asnjëherë nuk janë ndjekur e gjykuar nga gjykatat vendore e ndërkombëtare.
“Duke pasur parasysh se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it, vazhdimisht bëri akuza të njëpasnjëshme politike ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; për shkak se, edhe në vendimin e fundit që u shqiptua kundër Komandantëve dhe bashkëluftëtarëve tonë, të cilët bënë luftë kundër pushtuesit e për t’ia sjellë popullit lirinë, shihet qartë tendenca për degradimin e luftës sonë çlirimtare”.
“Me këtë rast ftojmë qytetarët pa dallim, që t’i bashkëngjiten masovikisht kësaj proteste, sepse nuk do të lejojmë nëpërkëmbjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, e cila vlerë ka përmasë të kombëtare”, thuhet në thirrjen për protestë të OVL-UÇK-së, të cilës i është përgjigjur pozitivisht Lëvizja Vetëvendosje.
Vendimi për protestë është marrë dy ditë pasi një trup gjykues i EULEX-it ia kumtoi 65 vjet burg Grupit të Drenicës. Midis 11 ish-pjesëtarëve të UÇK-së të dënuar, është edhe Sylejman Selimi, që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Sami Lushtaku, i cili ishte komandant i Zonës Operative të Drenicës. Janë dënuar edhe deputeti Fadil Demaku dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku