Veseli vizitoi Kështjellën e Harilaqit

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot Kështjellën e Harilaqit, një nga monumentet më të lashta dhe më të bukura të trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u njoh nga afër me punimet arkeologjike që po bëhen në këtë lokalitet, nga të cilat po dalin në sipërfaqe gjurmët e krishterimit të hershëm ilir, Dardanisë së lashtë, siç janë edhe dy martiriumet, ndërsa së bashku me një grup arkeologësh të rinj, mori pjesë në gërmime.

Sipas një njoftimi, kreu i Kuvendit ka thënë se këto thesare, populli ynë i ka ruajtur me shekuj, ndërsa tani, institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim të kujdesen për to, duke i zbuluar, restauruar dhe konservuar, si një vlerë dhe pasqyrë e pashlyeshme e trashëgimisë së hershme.

Duke folur për rëndësinë e pranimit të Kosovës në UNESCO, kryeparlamentari Veseli ka thënë se të gjithë ata që ende kanë hezitime lidhur me ketë, duhet të ndryshojnë mendje, sepse, siç theksoi ai, nëpërmjet pranimit të Kosovës në këtë organizatë, do t’i ndihmohet edhe kësaj trashëgimie historike që të mos humbet.

“Kjo është vetëm një pjesë e kësaj trashëgimie, e cila, falë njerëzve profesionistë dhe autoriteteve komunale të Fushë-Kosovës, sot ka arritur të dalë në sipërfaqe. Kemi shumë pasuri të trashëgimisë sonë, të cilat ende gjenden nën tokë dhe duhet ta shohin dritën”, ka theksuar kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-vizitoi-keshtjellen-e-harilaqit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala