Veseli vazhdon konsultimet me jashtë për të dalë nga kriza institucionale

Autori:Gazeta Fjala

Ndonëse Kuvendi i Kosovës e ka një rregullore të punës, e cila rregullon mes tjerash edhe mbarëvajtjen e seancave, kryeparlamentari Kadri Veseli ka vendosur që të kërkojë ndihmë jashtë Kuvendit se si të veprojë me opozitën e cila në seancat e fundit është bërë bllokuese e seancave. Nga njohësit e jetës parlamentare kjo shihet si përpjekje për të gjetur zgjidhjen më të mirë për daljen nga kjo situatë, por edhe si qëllim të shtimit të poenave politikë.

Në pamundësi për t’i vazhduar seancat plenare për shkak të bllokimit fizik që opozita po ia bën Kuvendit, duke kërkuar tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, kryeparlamentari Kadri Veseli ka dalë jashtë Kuvendit për të kërkuar ndihmë. Të hënën Veseli pati takim me një pjesë të shoqërisë civile dhe mediave, nga të cilët kërkoi ide se si të veprojë në Kuvend. Madje tha se konsultimet do t’i vazhdojë edhe me të tjerë.

“Ndihmë do të kërkojë nga të gjithë. Do të mundohem të jem transparent edhe në veprime. Nuk do të më vijë turp të kërkojë ndihmë, veçmas kam dashur së pari, meqenëse është fillimi i javës, me juve të filloj, nuk kam shkuar te ambasadat e huaja”, ka thënë Veseli.

Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili gjatë mandatit të tij i kishte nxjerrë disa deputetë të Vetëvendosjes jashtë seancës, thotë se kryeparlamentari ka të drejtë të bëjë konsulta edhe më të tjerët jashtë Kuvendit, por shprehet skeptik që debatet e tilla mund të ndikojnë në zgjidhjen e problemit.

“Rregullorja e punës është ligj për Kuvendin dhe ajo është mirë të respektohet, por kryetari po dëshiron të gjejë një formë më demokratike pa i përdorur të gjitha mjetet që i jep rregullorja e punës së Kuvendit. Sigurisht se është në shërbim të një zgjidhje më të mirë të kësaj situate”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Kurse, ish-anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Naim Maloku, veprimet e kryeparlamentarit Veseli i sheh si përpjekje për të fituar poena politikë.

“Këto veprime janë për t’u kapitalizuar politikisht në opinion, me vota. Pra unë i them kapitalizim politik, sesa që janë veprime që mund të sjellin te zgjidhja e problemit”, tha Maloku.

Po si e sheh shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca qasjen e kryeparlamentarit Veseli, i cili kërkon ndihmë jashtë Kuvendit për daljen nga situate e krijuar?

“Unë mendoj që kjo është në kuadër të përpjekjeve të kryeparlamentarit për ta relativizuar legjitimitetin e bllokimit të Kuvendit nga ana e opozitës. Pra që të thotë se është krijuar një konsensus kinse i përgjithshëm shoqëror, prej analistëve e kështu me radhë, që Kuvendi nuk mund të bllokohet”, tha Konjufca.

Konjufca thotë se bllokimi i Kuvendit nuk është i rastësishëm në këtë kohë, ngase dihet se asnjëherë deri më tani Kuvendi nuk është bllokuar. Por marrëveshja për atë që opozita e quan “Zajednicë”, sipas Konjufcës, është e pakapërdishme.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës në nenin 41 përcakton mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit, ku thuhet se kryetari i Kuvendit kujdeset për rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve në Kuvend dhe deputetëve ua tërheq vërejtjen kur ata prishin rregullin e punës në Kuvend. Pika 3 e këtij neni thotë që deputeti ose ministri është i detyruar t’i respektojë urdhrat e kryetarit të Kuvendit pasi t’i tërhiqet vërejtja për sjelljen, duke përfshirë masën e tërheqjes së fjalës ose shprehjes joparlamentare, ndërprerjen e menjëhershme të fjalës, ose largimin nga seanca e Kuvendit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-vazhdon-konsultimet-me-jashte-per-te-dale-nga-kriza-institucionale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala