Veseli: Të pagjeturit janë drama dhe dhimbja më e madhe e Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në tryezën e organizuar për të shënuar fillimin e “Javës për personat e pagjetur”, tha se të pagjeturit janë “drama dhe dhimbja” më e madhe e qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se 16 vjet pas luftës, mos gjetja e 1650 personave, pengon perspektivën për të ecur përpara, por gjithashtu ndërhynë në raportet e fqinjësisë së mirë.

“Si institucione të Republikës së Kosovës, nuk kemi mundur të qëndrojmë duarkryq para situatave, kur edhe sot, 16 vite pas një periudhe të rënd të kaluar të popullit tonë, ende i kemi persona të zhdukur”.

“Edhe kjo ide e javës për personat e zhdukur të njerëzve tanë, të cilët edhe 16 vite më pas janë të pagjetur, është ide e cila për një qëllim kryesor, t’i shërojmë plagët e së kaluarës dhe të mendojmë për të ardhmen”.

“Kjo është një dramë e rëndë, është një plagë e shtetit tonë, e shoqërisë, e familjeve tona, e njerëzve që ende nuk i kanë gjetur të dashurit të tyre, gjë e cila realisht po na pengon perspektivën për të ecur përpara. Por në të njëjtën kohë, në raportet tona të fqinjësisë së mirë sepse Kosova e ka politikë që të ketë raporte të mira me fqinj përfshirë këtu edhe Serbinë”.

“16 vite pas lufte ne nuk e dimë ende fatin e 1650 personave, në mesin e tyre janë edhe 99 fëmijë”, tha Veseli.

Kryeparlamentari tha se qeveritë e Serbisë në vazhdimësi kanë bërë pengesa të ndryshme në procesin e gjetjes së të zhdukurve. Kjo gjë sipas tij është bërë “për të fshehur krimin”, pasi që ai thotë se fshehja e viktimave është bërë nga “struktura të organizuara shtetërore”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-te-pagjeturit-jane-drama-dhe-dhimbja-me-e-madhe-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala