Veseli: “Të drejtat e njeriut para shtetit”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi të hënën në Prishtinë se lufta për demokracinë, është njëkohësisht lufta për ta bërë botën më paqësore dhe më humane dhe qytetarët në Kosovë, i njohin mirë sfidat e raportit në mes të drejtës ndërkombëtare në njërën anë dhe demokracisë e të drejtave të njeriut në anën tjetër.

Veseli këto komente i bëri në Samitin e Kosovës kushtuar të Drejtës ndërkombëtare dhe të Drejtat e njeriut 2015.

“Sot të drejtat e njeriut përbëjnë instrumentin më të rëndësishëm në botë për të frenuar ambiciet joligjore, arrogancën, abuzimet dhe arbitraritetin e pushtetit politik, në nivel global. Ky kusht është demokracia. 16 vite më parë, populli ynë u gjet i përfshirë në një situatë shumë të rëndë, si pasojë e këtyre sfidave. Në njërën anë, aspirata e popullit tonë për liri dhe çlirim nga një regjim represiv ishte në rrezik të binte viktimë e parimit të së drejtës ndërkombëtare që njeh sovranitetin klasik të shtetit. E në anën tjetër, ishte mundësia që kjo aspiratë të mbështetej në kodin e të drejtave natyrore të njeriut”, tha Veseli.

Ai u shpreh se derisa Millosheviqi e mbështeste terrorin e tij duke u bazuar në modelin rigid të sovranitetit të shtetit, Perëndimi e bëri të qartë se të drejtat natyrore të njeriut për jetë të pacenuar dhe liri, janë mbi të drejtat e shtetit.

“Shteti duhet të gjunjëzohet para Jetës, Lirisë dhe Pronës së njeriut, thoshte babai i liberalizmit, Xhon Lloku. Në të kundërtën shteti bëhet i paligjshëm dhe njerëzit duhet të ngrihen kundër tij. Shqiptarët e Kosovës para se të ishin shtetas të këtij apo atij shteti, ishin qenie njerëzore me të drejta natyrore të patjetërsueshme nga askush”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Në këtë rrafsh, intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës tha se ishte një zgjidhje ushtarake e konfliktit të vjetër filozofik në mes të së drejtës natyrore dhe pozitivizmit juridik, në favor të së drejtës natyrore të njeriut. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-te-drejtat-e-njeriut-para-shtetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala