Veseli nderon Isa Boletinin e Adem Jasharin

Autori:Avdyl Pajaziti

Në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, kryeparlamentari  Kadri Veseli, vizitoi vendlindjen e heroit të kombit, Isa Boletini në  fshatin Boletin.

Gjatë vizitës atje, Veseli tha se është detyrim i çdo gjenerate, përulja dhe nderimi para varrit të këtij heroi, në shenjë mirënjohje për kontributin dhe përpjekjet e tij, luftarake dhe diplomatike, në mbrojtjen e interesave të atdheut, si dhe sakrificën sublime, deri në flijim për kombin e vet.

“Personaliteti i Isës ka reflektuar jo vetëm në Boletin, Mitrovicë e Kosovë, por në tërë trojet shqiptare, si një burrë i madh i kombit, që çështjen e atdheut dhe mbrojtjen e interesave të tij e vuri para çdo interesi tjetër”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në shenjë nderimi për kontributin e Isa Boletinit për pavarësinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e interesave nacionale, Veseli, simbolikisht vendosi një flamur kombëtar mbi varrin e këtij heroi.

Shefi i Kuvendit ishte edhe në Prekaz, ku bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe vendosi kurorë lulesh pranë varrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

“Kam ardhur sot si kryetar i Kuvendit, të përulem para Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në këtë ditë të krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare”, theksoi ai.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-nderon-isa-boletinin-e-adem-jasharin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala