Veseli: Marrëveshjet hap pozitiv, fyerjet dhe dhuna nuk na ndihmojnë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një deklarate ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve në Bruksel dhe ka shfaqur kërkesën që legjislativi të ketë informata të plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjen e tyre.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes procedurave demokratike, ka marrë vendime që mbështesin platformën e dialogut të Kosovës me Serbinë për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.

Lidhur me marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, ne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe në Zyrën e kryetarit të Kuvendit, presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve.

Ne besojmë se Qeveria e Kosovës, e cila ka gjithë autoritetin legjitim për të përfaqësuar Kosovën dhe për të marrë vendime për Kosovën në kuadër të dialogut me Serbinë, është në nivelin e duhur të pjekurisë politike dhe përgjegjësive të saj që i dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Është në interesin e vendit, që secila marrëveshje e arritur, në procesin e zbatimit, të hapë perspektivë të sigurt për zhvillimin e vendit, përparim në rrugën e integrimeve evropiane, të ndikoj në konsolidimin e shtetit të Kosovës, e asesi në bllokimin e tij. Besojmë se këtë kanë pasur parasysh edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që i kanë mbështetur dialogun dhe marrëveshjet.

Debati publik dhe politik që kanë nxitur këto marrëveshje, si dhe liria e interpretimit të tyre, është një e drejtë demokratike e patjetërsueshme e qytetarëve dhe partive politike, por akuzat, fyerjet dhe etiketimet demagogjike nuk i ndihmojnë qartësimit të publikut mbi përmbajtjet e marrëveshjeve, ashtu sikurse nuk i ndihmojnë perspektivës së vendit thirrjet në skenarë të përdorimit të dhunës”, përfundon deklarata.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-marreveshjet-hap-pozitiv-fyerjet-dhe-dhuna-nuk-na-ndihmojne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala