Veseli: Kosova ka përmbushur detyrimet për liberalizim të vizave

Autori:Gazeta Fjala

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim delegacionin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili kryesohej nga nënkryetarja e këtij parlamenti, Ulrike Lunaçek, ka njoftuar zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari Veseli e njohu Delegacionin me zhvillimet në Kuvend, përkushtimin për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, nevojën e nënshkrimit sa më të shpejtë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe zhvillimin ekonomik.

Në takim me deputetët evropianë, Veseli vuri në dukje se Kosova ka përmbushur detyrimet e veta karshi standardeve për liberalizim të vizave. Ai po ashtu theksoi rëndësinë e procesit të dialogut, si dhe zhvillimit ekonomik.

“Është sfidë zhvillimi ekonomik. Sot të rinjtë tanë kanë vështirësi, ngase zhvillimi që vjen nga lëvizja e lirë e njerëzve, ideve dhe mallrave, mbetet ende e kufizuar. Po presim që nënshkrimi i MSA-së të ndodh sa më shpejt dhe procesi i euro-integrimeve të vendit tonë të vijojë me intensitet”, ka thënë Veseli.

Lunaçek dhe anëtarët tjerë të delegacionit shprehën mbështetjen për proceset integruese që po kalon Kosova dhe punën e përkushtuar në Kuvendin e Kosovës. Ajo theksoi se Kosova gëzon mbështetje të fuqishme të deputetëve të Parlamentit Evropian dhe vuri në dukje se zhvillimi ekonomik mbetet sfidë për rajonin dhe më gjerë./Koha.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-kosova-ka-permbushur-detyrimet-per-liberalizim-te-vizave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala