Veseli: “Isa Boletini ishte një lider popullor”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka marrë pjesë në Konferencën shkencore kushtuar figurës sonë të madhe historike, Isa Boletinit, e cila po mbahet nën përkujdesjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kruekuvendari, në konferencë ka mbajtur edhe një fjalë rasti ku ka theskuar se “Isa Boletini jetoi dhe veproi në një periudhë dramatike të historisë sonë kombëtare – ishte periudhë e kthesave të mëdha historike”.

“Sundimi shekullor osman po kalonte vitet e fundit të tij dhe shqiptarët po përballeshin me një sfidë radikale: ose do të dilnin nga ky sundim si një komb i formuar dhe me aftësi shtetformuese, ose rrezikonin shpërbërjen kolektive, si etni dhe territor”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, e gjithë veprimtaria e Isa Boletinit ishte një përballje me këtë sfidë.

“Ishte një përballje titanike, e cila e çoi atë nga betejat e grykave të Kosovës, në mbrojtjen e pavarësisë kombëtare të shpallur në Vlorë, e prej andej në zyrat diplomatike të Evropës. Isa Boletini ishte një lider popullor që veproi në përputhje me nevojat e kohës. Kjo ishte koha e çlirimit kombëtar dhe formimit të shtetit kombëtar. Ishte koha ku shqiptarët duhet të dëshmonin ekzistencën e tyre kombëtare dhe të drejtat e tyre legjitime”, ka thënë ndër tjerash Veseli.

Dhe në këtë drejtim, Veseli ka vlerësuar se të gjitha kryengritjet dhe përpjekjet e Isa Boletinit ishin në shërbim të këtij qëllimi madhor.

Veseli ka vlerësuar se sot në kushtet e reja sociale dhe politike, figura historike e Isa Boletinit kërkon qasje të reja shkencore dhe akademike.

“Unë besoj se historiografia jonë, tanimë e pavarur nga diktatet ideologjike dhe politike, është në gjendje të përmbushë këtë nevojë të vetëdijes sonë kombëtare, të kulturës dhe kujtesës sonë historike”, ka përfunduar Veseli. /Telegrafi

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-isa-boletini-ishte-nje-lider-popullor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala