Veseli: “I papranueshëm pengimi i lirisë së fjalës”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një njoftimi dërguar mediave, ka sqaruar situatën që ka mbretëruar sot në seancë.

Në njoftim thuhet se në mbledhjen e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës u vendos që sot me datë 22.09.2015 të kemi seancë parlamentare, me një pikë të vetme të rendit të ditës, “Raportimin e Kryeministrit të Kosovës, z.Isa Mustafa mbi marrëveshjet e 25 gushtit të arritura në Bruksel”.

“Qysh në fillim të seancës, partitë opozitare ndërhynë duke penguar raportimin e kryeministrit dhe pamundësimin e vazhdimit të seancës përmes veprimeve të drejtpërdrejta fizike. Sulmi me vezë ndaj Kryeministrit Mustafa ishte veprim jodinjitoz”, thuhet në reagimin e Veselit.

Ai thotë se Qeveria, ashtu sikurse edhe deputetët, kanë të drejtën e pacenueshme për t’i shprehur pikëpamjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Pengimi i lirisë së fjalës në demokracinë tonë të re parlamentare është i papranueshëm. Komunikimi, debati dhe respektimi i njeri tjetrit janë vlerat që na duhen dhe të cilat i presin qytetarët nga ne”, thotë më tej Veseli.

Ndërkaq, në fund, kreu i Kuvendit të Kosovës, tha se “si kryetar i Kuvendit të Kosovës do të angazhohem maksimalisht për funksionimin demokratik të Kuvendit të Kosovës, sepse vetëm kështu i përmbushim obligimet ndaj qytetarëve të cilët na kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veseli-i-papranueshem-pengimi-i-lirise-se-fjales/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala