Vërshimet marrin një jetë në Gjakovë

Autori:Zekirja Shabani

Jak Tahiri, 76 vjeçar, nga fshati Dol i Gjakovës, ka gjetur vdekjen në një tjetër fshat të kësaj komune, si pasojë e vërshimeve që kanë shkaktuar reshjet e shumta të shiut gjatë ditës së sotme.

Zëdhënësi i Komunës së Gjakovës, Ali Tafarshiku, ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00 në fshatin Kushavec, pasi që një përroskë në këtë fshat kishte ngritur nivelin e ujit nga reshjet. I ndjeri, po provonte të kalonte mbi një urë të kësaj përroske kur ka rënë në ujë.

“Fillimisht rasti ishte regjistruar si zhdukje, por më pas për fat të keq është gjetur pa shenja jete trupi i të moshuarit Jak Tahiri”, ka treguar Tafarshiku.

Rreth orës 13:00 stacioni policor në Gjakovë ka pranuar informatën se një person ka humbur jetën gjatë kalimit të përroit të fshatit, niveli i të cilit ishte rritur si pasojë e reshjeve të ditës. Policia thotë se sapo kishte marrë informatën, ka dalë në vendin e ngjarjes ndërsa pas rreth një orë e gjysmë kërkimi me njësitet emergjente relevante kanë hasur në trupin e pajetë të viktimës J.(S).T i moshës 76 vjeçare nga komuna e Gjakovës.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor i spitalit rajonal Gjakovë.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, ndërsa në konsultim me prokurorin e shtetit trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve”, thuhet në komunikatën e Policisë rajonale në Gjakovë./koha.net/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vershimet-marrin-nje-jete-ne-gjakove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala