Veriu pret Asociacionin, që t’i marrë të gjitha paratë nga Gazivoda

Autori:Avdyl Pajaziti

Konflikti me Prishtinën rreth hidrocentralit të Ujmanit (Gazivodës) ka motive të pastra ekonomike, meqë të gjitha të hollat nga shitja e rrymës dhe ujit shkojnë në Prishtinë, ndërsa komuna e Zubin Potokut mbetet pa kurrgjë, transmeton Koha.net deklaratën për Radio KiM të drejtorit të hidrocentralit të Ujmanit dhe të sistemit “Ibër”, Sërgjan Vuloviq.

Vuloviq sipas këtij burimi ka shfaqur shpresën se formimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë do të ndryshojë këtë situatë. Ai ka shtuar se hidrosistemi “Ibër” mund të fitojë dy milionë euro, që do të thotë se ka një buxhet vjetor rreth 25-26 milionë euro dhe e gjithë kjo shumë nga shitja e prodhimit të energjisë elektrike dhe ujit shkon në Prishtinë.

“Të gjitha paratë derdhen në Prishtinë dhe ata i përdorin ku e di unë për çfarë qëllimesh, ndërsa komuna e Zubin Potokut thjeshtë mbetet pa asgjë. Sikur këto para të mbeteshin në këtë komunë, ato do të përfaqësonin një potencial të madh për zhvillimin e gjithë rajonit, madje të gjithë veriut të Kosovës”, ka thënë Vulloviq.

Ai shpreson se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë do ta ndryshojë këtë situatë, meqë sistemi aktualisht funksionon ashtu që pesë kubikë ujë në sekondë shkojnë për nevojat e termocentraleve në Obiliq dhe për ujitje, kurse pjesa tjetër përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas Vulloviqi me Prishtinën ka një bashkëpunim, por siç është shprehur ai nuk është kush e din çfarë bashkëpunimi.

“Bashkëpunimi qëndron në fatin se ata kanë dobi, ndërsa ne punojmë për asgjë, pa kurrfarë interesi ekonomik. Shpresojmë që AKS do të zgjidhë këtë problem, para së gjithash nga se sipas marrëveshjes Asociacionit i mbetet shëndetësia, arsimi, zhvillimi rajonal dhe urbanizmi. Shpresojmë se me formimin e Asociacionit do t’ia dalim ta zgjidhim edhe këtë problem që ka karakter të pastër ekonomike”, ka thënë Vulloviq.

Liqeni i Gazivodës ka rreth 380 mijë metër kub ujë gjithmonë sasi e pazvogëluar. I gjithë veriu i Kosovës, Mitrovica, Zveçani, Zubin Potoku, Vushtrria dhe komuna e Skenderajt pinë ujë nga ky liqe, e po ashtu termocentralet në Obiliq nuk do të mund të punonin pa ujin e Gazivodës, me të cilin ftohen reaktorët që prodhojnë energjinë elektrike.

Gjatë muajve të verës, kur mbretëron thatësia, uji nga Gazivoda pompohet në liqenin e Graçanicës, kështu që edhe kur Prishtina s’ka ujë mjaft, atë e merr nga ky liqen.

Nëntëdhjetë për qind e kapacitetit të hidrosistemit Ibër, sipas këtij shkrimi, ndodhet në territorin e komunës së Zubin Potokut, përkatësisht dy të tretat e liqenit ndodhen në territorin e Kosovës, ndërsa një e treta në territorin e Republikës së Serbisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veriu-pret-asociacionin-qe-ti-marre-te-gjitha-parate-nga-gazivoda/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala