Veriu pa paga

Të gjithë shërbyesit civilë në veri të Kosovës, kanë mbetur pa pagat e muajit mars. Kjo për faktin se komunat që drejtohen nga serbët lokalë, nuk kanë respektuar afatet ligjore të miratimit të buxheteve komunale dhe për këtë arsye, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk u ka ndarë buxhetin e lejuar.
Ata që nuk kanë marrë pagat e muajit mars janë edhe shërbyesit civilë në Zyrën Lokale për Komunitete dhe Kthim në fshatin Çabër të komunës së Zubin Potokut.
Çerkin Veseli nga kjo zyrë thotë se diçka e tillë ka qenë e pritur për ta, meqë komuna me shumicë serbe nuk i ka përmbushur obligimet që i ka pasur në raport me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Sipas Ligjit për financa dhe atij për vetëqeverisje lokale, Mitrovica e veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku është dashur që deri më 1 mars të miratojnë buxhetin konform atij që është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Në të kundërtën kuvendet komunale konsiderohen jofunksionale.