Vendimi për FAK-un shtyhet për vjeshtë

Autori:Avdyl Pajaziti

Nuk ka asnjë iniciativë nga partitë e koalicionit që të procedohet me votimin e amendamenteve kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, para se Kuvendi t’i përmbyllë punimet e sesionit pranveror.

Del se vendimi për FAK-un shtyhet për në vjeshtë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ka kohë që Qeveria ka proceduar amendamentet, por të cilat u hoqën nga rendi i ditës, për shkak të mungesës së votave nga Lista Serbe. Kjo parti e ka bërë të qartë se nuk do të votojë pro themelimit të FAK-ut.

Mosshqyrtimin e amendamenteve kushtetuese për specialen e ka ngritur deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, në seancën e së enjtes. Ai ka thënë se Qeveria e ka futur në lojë FAK-un me Listën Serbe.

Selimi ka thënë se patjetër duhet themeluar Forcat e Armatosura, edhe kur kundërshton Serbia.

Për FAK-un nuk kanë folur në Kuvend as kryeministri Mustafa e as Ministri i FSK-së, Haki Demolli.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa qysh më 27 maj të këtij viti kishte miratuar draft-amendamentet e Kushtetutës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ishin amendamentet e njëjta të miratuara nga ish-qeveria Thaçi, por që nuk kishin kaluar procedurat parlamentare për shkak të shpërndarjes së Kuvendit në majin e vitit të kaluar. Por, mos përkrahja e Listës Serbe për këto amendamente, ka bërë që edhe koalicioni aktual të zmbrapset nga synimi për t’i qitur ato në votim në Kuvend.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vendimi-per-fak-un-shtyhet-per-vjeshte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala