Vendimi i Kushtetueses tregon se Asociacioni nuk ka të bëjë me ndasitë politike

Autori:Avdyl Pajaziti

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas njohësve të çështjeve juridike, tregon se kjo marrëveshje është çështje Kushtetuese dhe se përtej ndasive politike ka të bëjë me identitetit Kushtetues të Kosovës.

Dren Doli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GSPJ), ka thënë se me vendimin e saj, Kushtetuesja ka treguar se do të merret me thelbin e marrëveshjes dhe nuk do të refuzojë të marr vendim për këtë çështje.

“E para, Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtaret e saj e kanë parasysh që çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është një çështje kushtetuese dhe, si rrjedhojë, do të jete çështje e cila do të vendoset me meritë nga ana e Gjykatës Kushtetues”.

“Pra, Gjykata Kushtetuese ka treguar sinjale të qarta që do të merret me thelbin e marrëveshjes dhe nuk do të refuzojë vendimmarrjen mbi atë çështje”, ka thënë Doli, për lajmi.net.

Doli thotë se ky vendim ka edhe një tregues tjetër, atë që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetues e kanë parasysh që marrëveshja për Asociacionin ka të bëjë me identiteti Kushtetues të Kosovës, e jo me ndasitë e partive politike.

“Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, ndoshta e kanë parasysh që çështja e Asociacionit nuk ka të bëjë me ndasitë politike që janë në Kosovë, por ka të bëjë shumë me identitetin Kushtetues, të cilin Kosova e ka ndërtuar dhe, në këtë kontekst, mbetët në përgjithësinë e tyre ekskluzive, pasi që partitë politike refuzuan të marrin rolin kryesor.

Mbetët në përgjithësinë e Gjykatës Kushtetuese në formën më autoritative të marr një vendim meritor mbi këtë çështje”, ka thënë Doli për lajmi.net

Ai, po ashtu, ka treguar edhe mundësitë që ka organi më i lartë interpretues i Kushtetutës, për të marr interpretimin e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të marr interpretimin e Komisionit të Venedikut dhe ekspertëve vendorë, në mënyrë që vendimi i saj të mos mbështetët vetëm në vendimin e gjyqtarëve të saj.

“Një gjykatë e mençur me arsye të plotë juridike do të shfrytëzonte instrumentet që ka për brenda saj, sidomos mundësinë që t’i referohet Komisionit të Venedikut dhe t’u referohet akademikeve që gjenden brenda Kosovës për tu kërkuar opinion e tyre mbi çështjet që kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në mënyrë që vendimmarrja e saj mos të mbështetet vetëm me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por të mbështetet edhe ne opinionet e juristëve ndërkombëtarë dhe juristëve e studiueseve që gjenden brenda Kosovë dhe të cilët kanë shqetësime serioze mbi këtë çështje, dhe në këtë formë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë një vendim i cili nuk do të jetë produkt i një debati të kufizuar brenda Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Doli.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është pezulluar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e këtij institucioni.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vendimi-i-kushtetueses-tregon-se-asociacioni-nuk-ka-te-beje-me-ndasite-politike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala