Vendim i Gjykatës: Profesorët politikanë, mund t’i marrin nga dy paga

Autori:Avdyl Pajaziti

Isa Mustafa, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Bekim Haxhiu janë vetëm disa nga dhjetëra bartës të funksioneve publike që, me vendimin e Gjykatës së Apelit, përveç pagës për funksionet që ushtrojnë, do të marrin edhe nga një gjysmë page prej Universitetit të Prishtinës, ku janë të angazhuar në procesin mësimor.

Telegrafi mëson se duke filluar nga 12 tetori 2015, kryeministri Isa Mustafa do t’i merr përsëri 715 euro në muaj nga Universiteti i Prishtinës, nëse do të vazhdojë t’i mbajë 3 orë në javë në cilësinë e profesorit të rregullt.

Po për atë shumë do të shtohen të hyrat mujore edhe të ministrit Arsim Bajrami, po ashtu profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.

Ministrat Avdullah Hoti, Haki Demolli dhe Hajredin Kuçi do të marrin nga 642 euro në muaj pasi kanë një gradë akademike më pak sesa kryeministri dhe ministri i arsimit.

Nga gjysmë page prej Universitetit të Prishtinës, në pajtim me gradat akademike që mbajnë, do të marrin edhe ministrat Hykmete Bajrami, Ferid Agani, zëvendësministri Ferat Shala, deputetët Bekim Haxhiu-Kamishi, Mytaher Haskuka, Vjosa Osmani, Besim Beqaj e Shpejtim Bulliqi.

Gjithashtu këtë privilegj do ta gëzojnë edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama dhe Bekim Sejdiu, pastaj kryetari i Komunës se Rahovecit, Idriz Vehapi, rektorët e universiteteve të tjera kosovare, Bajram Kosumi, Agron Bajraktari e Ramë Vataj.

Veç këtyre, në këtë “listë” do të jenë edhe drejtori i Postës se Kosovës, Sejdi Hoxha, menaxheri i postës në Pejë, Kushtrim Cukaj, kryeshefi i Agjencisë Kadastrale, Murat Meha, si dhe dhjetëra të tjerë që mbajnë poste të larta publike krahas punës në Universitetin e Prishtinës.

Më 12 tetor 2015, Universiteti i Prishtinës duhet ta zbatojë vendimin e Inspektoratit të Punës të dt. 15 janar 2015 për kthim në listë të pagave të bartësve të funksioneve publike, të cilët ishin larguar nga kjo listë me vendimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

Kjo pasi Gjykata e Apelit e hoqi masën e përkohshme të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën ishte pezulluar përkohësisht vendimi i Inspektoratit derisa të përfundojë kontesti gjyqësor në mes të Rektoratit të UP dhe Inspektoratit të Punës.

Në dhjetor të vitit 2014, rektori Ramadan Zejnullahu kishte marrë vendim se profesorët që bartin poste publike ose poste të larta në Shërbimin Civil nuk mund të paguhen me gjysmë rroge gjatë 12 muajve siç ishte praktika e deriatëhershme, por do të paguheshin me orë mësimore, edhe atë vetëm për orët që i mbajnë, ashtu si veprohet me mësimdhënësit bashkëpunëtorë të jashtëm.

Në rastin e një profesori të rregullt, siç janë kryeministri Isa Mustafa dhe ministri Arsim Bajrami, shuma vjetore që realizonte në emër të pagës plotësuese në UP do të reduktohej nga 8,574 euro në 2,250 euro.

Ky vendim i rektorit nuk e ndryshoi statusin e profesorëve, pasi ata kishin të drejtë të kthehen në Universitet dhe të marrin pagë të plotë pas përfundimit të mandatit, por realizoi një kursim prej gjysmë milion euro brenda një viti.

Edhe pse praktika e gjysmëpagave dhe kontratave të dyfishta ishte e pranishme me vite, në UP nuk ekzistonte asnjë vendim, i cili bartësve të funksioneve publike u jepte të drejtën të paguhen në këtë formë.

Për më tepër, qysh më 17 maj 2013, Këshilli Drejtues i UP kishte obliguar me një vendim rektorin e atëhershëm, Ibrahim Gashi që t’i ndërpresë pagat e dyfishta, por, për shkak të presionit politik ky vendim nuk kishte arritur të zbatohej.

Për rektorin Zejnullahu presioni politik nuk ishte pengesë, por vendimi i Inspektoratit dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit që e lë këtë në fuqi janë obligues. Për moszbatim të këtij vendimi, rektori mund të dënohet deri në 10 mijë euro.

Çështja tjetër e natyrës së ngjashme ka të bëjë me tre ish-profesorë të pensionuar të UP, të moshës mbi 70 vjeç.

Muaj më parë, rektori Zejnullahu i ka hequr nga lista e pagave ish-rektorët Zejnel Kelmendi dhe Mujë Rugova si dhe ish-profesorin e Fakultetit Juridik, Faik Brestovci.

Derisa Kelmendi dhe Rugova kanë marrë paga të rregullta pa punuar fare në Universitet, rasti i profesori Brestovci ka qenë edhe më flagrant.

Ai ishte paguar në bazë të një vendimi të ish-rektorit Enver Hasani, me të cilin ky i fundit e emëron këshilltar me kohë të pacaktuar (sic!).

Tre ish-profesorët kanë ushtruar padi gjyqësore ndaj vendimit të rektorit, ndërsa burimet e informuara mirë tregojnë se Gjykata mund të merr vendim në favor të tyre, përkundër faktit se pensionistët nuk mund të paguhen nga buxheti i shtetit. /Telegrafi/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vendim-i-gjykates-profesoret-politikane-mund-ti-marrin-nga-dy-paga/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala