Vendi do të trazohet nga skamja

Autori:Zekirja Shabani

Kosovarët shumë shpejtë mund të dalin në rrugë dhe vendi të përballet me trazira sociale.

Kështu, thuhet në raportin e publikuar të mërkurën nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe Syri i Vizionit (SiV) “Kosova drejt BE-së, Sfida e Migrimit të Parregullt”.

Sipas autores së këtij raporti, Ariana Qosaj-Mustafa, faktorë të ndryshëm shtytës dhe tërheqës i kanë kontribuuar rrjedhave masive të migrimit, faktorë këta që kanë qenë të ndërlidhur me nivelin e izolimit me të cilin po përballen qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të vuajnë nga probleme sistemike, të acaruar nga mitosja e zyrtarëve të lartë, të cilat i kufizojnë mundësitë në punësim dhe e kërcënojnë mjedisin e qëndrueshëm për biznese për shkak të nepotizmit dhe korrupsionit të përhapur gjerësisht. Në mesin e një korrupsioni sistemik, Kosova është në rrezik nga trazirat sociale për shkak të situatës ekonomike, të përkeqësuar edhe nga bllokimi institucional prej gjashtë muajsh në vitin 2014”.

Kjo bombë e kurdisur sociale mbetet problematike mbi qeverinë e zgjedhur rishtas.

“Kthimet e pritura masive nga një numër i shteteve të BE-së vetëm që do ta keqësojnë situatën edhe më tutje. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet siç duhet për kthimin e emigrantëve, duke e pasur kthimin e tyre si një prioritet. Zgjatja në finalizimin e raportit të tretë mbi Pasqyrën e Zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave nga qeveria, do të duhej të përshpejtohej në mënyrë që edhe vendimi i BE-së për liberalizim apo mos-liberalizim të jetë i ditur”, ka thënë Qosaj-Mustafa.

Sipas saj, numrat e ofruar nga EUROSTAT janë brengosës, dhe tregojnë se nga nëntori i vitit 2014 deri në mars të vitit 2015, nga Kosova kanë ikur 57,945 qytetar, dhe kanë kërkuar azil në shtetet anëtare të BE-së.

KIPRED-i propozon që Qeveria duhet urgjentisht të finalizojë raportin e tretë mbi Pasqyrën e Zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, në mënyrë që të përshpejtohet monitorimi dhe vlerësimi i BE-së rreth përmbushjes së kërkesave të liberalizimit të vizave nga ana e Kosovës.

Po ashtu, Qeveria duhet ta miratojë një Profil të freskuar dhe të Zgjeruar të Migrimit dhe t’i ofrojë statistikat e veta zyrtare për numrin e personave që kanë migruar muajt e fundit, Qeveria duhet ta rrisë menjëherë buxhetin për ri-integrimin e personave të ri-pranuar, dhe duhet ta ndryshojë kornizën kohore diskriminuese që vazhdon t’ua mohojë asistencën emigrantëve që e kanë braktisur Kosovën pas vitit 2010.

“Regjimi i lirë i vizave me shtetet anëtare të BE-së do ta ndalte migrimin e paligjshëm, edhe pse nuk do ta ndalte migrimin si të tillë. Ashtu siç e kanë dëshmuar përvojat paraprake të vendeve me udhëtim të lirë të vizave në BE, numri i emigrantëve është rritur paralelisht me liberalizimin e vizave”, thuhet në raport.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vendi-do-te-trazohet-nga-skamja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala