10 vendet më të bukura për t’u shijuar këtë vjeshtë

Autori:Avdyl Pajaziti

Po planifikoni pushime familjare në vjeshtë, atëherë kur vapa e verës është zhdukur dhe po ashtu edhe turmat e njerëzve? Është një kohë e shkëlqyer për të vizituar Europën dhe peizazhet e saj piktoreske.

Parisi

Një destinacion turistik përherë i preferuar nga turistët, Parisi nuk e humb hijeshinë e tij as në vjeshtë. Parqet shumëngjyrëshe dhe atmosfera e mrekullueshme që shoqëron kryeqytetin e Francës, ofrojnë një atraksion vjeshtak tepër të preferuar. Vizitoni muzetë e ndryshëm dhe pikat e tjera tërheqëse si kurrë më parë në stinën e vjeshtës. Hotelet e rekomanduara për qëndrim, të cilat e kapin më mirë këtë peizazh, janë hoteli “Des Grands Hommes” dhe hotel “Home” pranë kullës Eifel.

Roma

Vizitoni Romën kur temperaturat janë ideale për të lëvizur krahasuar me nxehtësinë e verës. Pushimet ideale familjare në Romë përfshijnë një shëtitje rreth “Villa Borghese”, një vizitë në tregun e luleve dhe konsumi i një akulloreje te “Giolitti’s” pranë Panteonit. Shihni Koloseun dhe mos lini pa vizituar qytetin e Vatikanit.

Amsterdami

Miqësor ndaj fëmijëve, Amsterdami ofron një vend ideal për pushime familjare. Udhëtoni në kanale dhe shijoni pamjen e mrekullueshme të ngjyrave të vjeshtës, të cilat kanë frymëzuar shumë artistë në vend.

Mund të kapni Festivalin e përvitshëm Cinekid, ku ka filma për fëmijë, i cili organizohet nga 15 tetori deri më 1 nëntor. Po ashtu, Hallouini është gjithnjë një event i mrekullueshëm që nxjerr më në pah portokallinë e natyrës.

Praga

Praga në vjeshtë është një pamje që do t’ju mbetet gjatë në mendje. Mbuluar nga gjethet e arta, mos harroni të ngjiteni në kullën Petrin dhe urën Çarls për të parë pamje të mrekullueshme të vjeshtës. Për të fjetur në mënyrë perfekte provoni hotelin “Alchymist Grand & Spa”.

Budapesti

Një qytet përrallor, Budapesti është ideal për vjeshtën, kur vizitorët ende mund të frekuentojnë banjat e famshme, plazhet ose muzetë. Tetori është një muaj i zënë, për shkak të Festivalit Palinka & Sausage, por edhe festivaleve të fëmijëve dhe të trenave të vjetër. Nëse mbërrini në kohë mund të merrni pjesë edhe në festivalin e makinave të vjetra. Për të pasur një pamje madhështore rezervoni në “Four Seasons Gresham Palace”.

Dubrovniku

I pagëzuar si “xhevahiri i Adriatikut”, Dubrovniku e meriton nofkën e tij. Është po aq i bukur edhe në vjeshtë, kur dielli ende shndrit, por është më pak i fortë dhe gjethet fillojnë të bien duke kombinuar mrekullisht plazhin, kulturën dhe historinë. Për më tepër, turistët e verës janë larguar! Moti ideal do ta ndihmojë edhe më shumë vizitën tuaj. Për pamjet më të mira qëndroni në luksozin “Excelsior”.

Dublini

Vjeshta është koha ideale për pushime familjare në Dublin, falë shumë festivaleve dhe eventeve, nga Aventurat Jurassic te teatri Helix dhe te festivalet e Filmit të Animuar dhe “Stoker Scary”. Po ashtu, Hallouini është koha e përkryer për të vizituar Muzeun GAA për Turet e Halluinit. Lokalet e mira të zonës dhe vendet ku mund të shijoni ëmbëlsira do t’jua shtojnë më shumë kënaqësinë e vizitës. Qëndroni në ndërtesën e shekullit 18, “Helen’s Hotel”.

Oksfordi

Vjeshta është stina që i fal Oksfordit një hijeshi dhe që e bën vendin ideal për adhuruesit e Herri Poterit, një destinacion i mirë për pushime familjare. Shijoni ditët e kthimit të studentëve, si dhe vizitoni parqet e shumta, ndërtesat e bukura, ngjyrat e vjeshtës, tregjet, por edhe një filxhan të nxehtë çaji. Mos harroni të vizitoni ekspozitën “Tutankhamun” në muze, që do të qëndrojë e hapur deri më 2 nëntor.

Burzh

Nëse jeni në kërkim të kulturës, historisë dhe çokollatës nuk do të zhgënjeheni nga “Venecia e Veriut”. Një zonë e mbrojtur nga UNESCO, qyteti ka kanale dhe ndërtesa të lashta, shumë dyqane me çokollata dhe është një pikë e preferuar veçanërisht në vjeshtë. Festivalet vendase do t’ju ofrojnë ushqim tradicional me çmime të lira. Qëndroni në hotelin “Dukes’ Palace”, një ish-rezidencë aristokratike me një kopsht të madh.

Monako

I gjendur mes Francës, Italisë dhe Mesdheut, Monako është një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar në vjeshtë, ku koha është ende e ngrohtë dhe gjethet ofrojnë një spektakël më vete. Mund të merrni pjesë në kupën e lundrimit që ndodh më 17 dhe 18 tetor në vend. Nuk do të zhgënjeheni nga kjo vizitë. / Huffington Post

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vendet-per-shijimin-e-vjeshtes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala