Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka trasuan rrugën e lirisë

Autori:Gazeta Fjala

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa,ka përkujtuar veprimtarët e shquar të lirisë së Kosovës Jusuf Gërvalla,Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, në 34 vjetorin e vrasjes së tyre nga regjimi ish-jugosllav.

Kryeministri Mustafa thekson se Jusuf Gërvalla ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, që me dijet e gjithanshme, vizionin politik dhe vendosmërinë atdhetare, së bashku me Bardhoshin dhe Kadri Zekën, me përkushtim të pashoq arritën të ngritin nivelin e organizimit dhe unifikimit të veprimtarëve shqiptarë në kuadër të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.

“Aktiviteti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Jusuf Gërvallës dhe bashkëveprimtarëve të tij, pati ndikim vendimtar në dinamizimin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër regjimit ish-jugosllav, duke mobilizuar elitën intelektuale dhe masat e gjëra të popullsisë, dhe duke rritur besimin në triumfin e pashmangshëm të vullnetit të popullit të Kosovës”, thekson kryeministri Mustafa.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Mustafa ka thënë se vrasja e Jusufit, Kadrisë dhe Bardhoshit më 17 Janar 1982, ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por ata u shndërruan në prijës shpirtërorë të kauzës për lirinë e Kosovës, duke trasuar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vellezerit-gervalla-dhe-kadri-zeka-trasuan-rrugen-e-lirise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala