Vëllait të kryetarit të Zubin Potokut i digjet vetura

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Zubin Potok, komunë në pjesën veriore të Kosovës, në orët e hershme të mbrëmjes së kaluar është djegur vetura e Sërgjan Vulloviqit, të vëllait të kryetarit aktual të kësaj komune, Stevan Vulloviqit.

Burime të Koha.net në veri bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi gjatë natës, në orët e vona pas mesnatës së shkuar. Vetura e djegur ishte e tipit Mercedes.

Policia, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes, ka konfirmuar rastin, por nuk ka dhënë hollësi për ngjarjen. Personalisht konfirmimin e ka bërë Zhelko Bajiq i policisë.

Vetura është djegur para shtëpisë së Sërgjan Vulloviqit, vetëm 100 metra larg stacionit të policisë.

Burimet tregojnë se Sërgjan Vulloviq është pronar i një kompanie transportuese, “Kollashinprevoz”, e regjistruar në Beograd dhe që në Kosovë vepron ilegalisht, e po ashtu është pronar edhe i autoshkollës “Maraton”.

Pas luftës ka qenë kryetari i parë i Komunës së Zubin Potokut dhe vinte nga radhët e Partisë Socialiste të Serbisë të Millosheviqit.
Ky ishte sulmi i katër, që ka ndodhur gjatë javëve të fundit në Zubin Potok.

Shënjestër sulmi ka qenë pompa e benzinës “Beopetrol”, e cila dy herë u sulmua me koktej molotovi dhe granatë dore, por që shpëtoi nga djegja.

Ajo ndodhet përballë vendit ku ndodhi djegia e veturës së Vulloviqit.

Shënjestër tjetër ishte një firmë që ilegalisht importon alkool prej Serbisë.

Me të ashtuquajtura “shok-bombë” qenë sulmuar edhe automjetet e policisë, të cilat pësuan thyerje xhamash.

Burimi i Koha.net thekson se nuk janë të qarta motivet e këtyre sulmeve.

Dihet se serbët në këtë pjesë të Kosovës kryetarin Stevan Vulloviq e quajnë tradhtar, i cili punon për interesa të Prishtinës, apo për shkak të bizneseve të të vëllait të tij, Sërgjanit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vellait-te-kryetarit-te-zubin-potokut-i-digjet-vetura/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala