Vazhdon lufta për bërllokun

Bërlloku i kryeqytetit pritet të jetë një nga temat më të nxehta gjatë verës në Komunën e Prishtinës. Kjo, sepse hendeku i mosmarrëveshjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës është thelluar edhe më shumë, ndërsa pritet të jetë temë debati në seancën komunale të qershorit.
I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se do t’i ndajë rrugët edhe me ligj me kompaninë regjionale të mbeturinave “Pastrimi”, e cila udhëhiqet nga zyrtari i LDK-së, Feim Sailhu. Ahmeti po pretendon që t’i privatizojë shërbimet e mbledhjes së mbeturinave, por që paraprakisht ka thënë se i duhet të dërgojë në Kuvend për miratim rregullore për shërbimin e privatizimit të mbeturinave në një pjesë të qytetit.
Partia opozitare LDK-ja, e cila pas e ka edhe PDK-në nga ku e përbejnë shumicën në Asamble, ia ka bërë të qartë Ahmetit se nuk do t’ia kalojë rregulloren./Zeri/.