Vazhdojnë rritjet e kredive bankare

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, kreditë bankare vazhduan të përshpejtojnë ritmin e rritjes. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) bënë të ditur se në mars të vitit 2015 kreditë arritën vlerën prej 1.90 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4.3% (2.4% në mars 2014).

Duke arritur vlerën prej 216.3 milionë euro, kreditë e reja të lëshuara gjatë tremujorit të parë 2015 u karakterizuan me rritje vjetore prej 8.4%.

Rritja e aktivitetit kreditor, sipas anketës për kreditimin bankar, i atribuohet kryesisht ofertës më të lehtësuar bankare gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, përderisa kërkesa për kredi vlerësohet të ketë mbetur përgjithësisht e pandryshuar gjatë kësaj periudhe.

Bankat deklaruan standarde më të lehtësuara kreditore për ndërmarrjet dhe për kreditë konsumuese gjatë kësaj periudhe. Sa i përket shkallës së aprovimit të kredive, bankat deklaruan të kenë mbajtur një qasje më të lehtësuar përgjithësisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).

“Në gjashtë muajt e ardhshëm (mars-shtator 2015), oferta kredituese e bankave, shprehur përmes standardeve të aplikuara kreditore pritet të mbetet përgjithësisht e pandryshuar. Megjithatë, një numër i bankave kanë deklaruar se presin lehtësim te standardeve kreditore për NVM-të, përderisa pothuajse të gjitha bankat deklaruan se presin lehtësim deri në një masë të standardeve kreditore që do të aplikojnë për ekonomitë familjare (kredi konsumuese dhe kredi për blerje të shtëpive)”, thuhet në raportin e BQK mbi vlerësimin tremujor të ekonomisë.

Sa i përket shkallës së aprovimit të kredive, sipas BQK-së, bankat presin që shkalla e aprovimit të kredive në gjashtë muajt e ardhshëm të mbetet përgjithësisht e pandryshuar, megjithëse një qasje më të lehtë në financim bankar pritet të kenë NVM-të dhe ekonomitë familjare.

Për dallim nga gjashtëmujori i kaluar kur kërkesa për kredi ishte përgjithësisht më e ulët, në periudhën mars/shtator 2015, bankat kanë deklaruar se presin një rikuperim të kërkesës për kredi.

“Kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë nga NVM-të, por edhe nga ndërmarrjet e mëdha. Kërkesë më të lartë bankat presin edhe nga ekonomitë familjare”, thuhet më tej në raport.

Rritja e gjithsej kredive deri në mars 2015 kundrejt periudhës së njëjtë në vitin paraprak kryesisht i atribuohet rritjes së theksuar prej 10.8% të kredive ndaj ekonomive familjare (3.5% në mars 2014). Me rritje u karakterizuan edhe kreditë ndaj ndërmarrjeve, të cilat po ashtu u karakterizuan me përshpejtim të rritjes në 2.9% në mars 2015.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vazhdojne-rritjet-e-kredive-bankare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala