Vatikani gradualisht po e njeh Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, i gëzoi besimtarët katolikë të Prizrenit me pjesëmarrjen e tij në meshën e madhe të së dielës.

Përveç mesazheve të paqes që përcolli në këtë ritual fetar, ai nuk la pa përmendur edhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Migrimi i të rinjve ishte fjala kryesore e tij në këtë meshë në Katedralen “Zonja Ndihmëtare” në Prizren.

Në fjalën e tij drejtuar të rinjve, ai apeloi që të rinjtë kosovarë të qëndrojnë në Kosovë.

“E ruaj gjithnjë një kujtim nga fëmijëria ime që i përket historisë suaj. Filmin e parë në jetën time që e kam parë ka qenë filmi mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, heroin tuaj të madh kombëtar. Shoh sikur të ishin sot trimëritë e këtij njeriu, vendosmërinë për të mbrojtur tokën e tij, ndjeshmërinë për drejtësi dhe fisnikërinë ndaj të tjerëve. Ai nuk zhgënjehej përballë vështirësive. E jeton ëndrrën e lirisë. E di gjithashtu situatën e sotme, që nuk ju lehtëson në realizimin e ëndrrave të tuaja.

Shumë të rinj i braktisin këto toka në kërkim të një bote më të mirë. Natyrisht çdonjëri prej jush ka të drejtë të vendosë mbi jetën e vet e të kërkojë jetë më të mirë, por nga ana tjetër kush do të duhej që ta ndërtonte realitetin tuaj të ri në Kosovë, kush është shpresa e kësaj shoqërie??? Sigurisht jeni ju e ju duhet të gjeni motive për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë e paqedashëse. Shpresa jonë dhe gëzimi ynë s’është vetëm të kërkuarit e një sistemi material”, tha Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, raporton televizioni publik.

Në anën tjetër, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka shprehur përkrahjen e gjithanshme të Vatikanit për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, ndërsa Vatikani njohjen e Kosovës po e bën hap pas hapi”, tha ai.

Ai ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e Vatikanit për zhvillimin e mëtutjeshëm të proceseve demokratike në Kosovë.

“Kishat në Kosovë nuk duhet të ndihen të vetme”, tha ndër të tjera Janusz.

Ai përcolli edhe lutjen e Atit të shenjtë të Papa Françeskut, në emrin e të cilit ndau bekimin apostolik. “Zoti e bekoftë Kosovën”, tha në fund Juliusz Janusz.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vatikani-gradualisht-po-e-njeh-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala