Varg akuzash për Shpend Ahmetin

Autori:Zekirja Shabani

Për gjashtë muaj, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ka dalë para asmablistve kuvendit komunal. Gjatë kësaj kohe ai as nuk ua ka dorëzuar atyre raportin gjashtëmujor të buxhetit derisa ka realizuar vetëm 8.8 për qind të projekteve kapitale të parapara për këtë vit.

Këto dhe akuza tjera lidhur me punën e të parit të Prishtinës, i ka ngritur në një konferencë për medie të premten, Flamur Shala, asambleist i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mosrealizimin e raportit 6 mujor të buxhetit si dhe shmangia nga debati e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend  Ahmeti, sipas tij është shkelje e parimeve themelore të qeverisjes.

“Përveç se nuk doli para Kuvendit të Prishtinës për muaj të tërë për ta zhvilluar debatin normal, kryetari i kryeqytetit nuk e solli para kuvendit raportin buxhetor të punës së tij të periudhës janar qershor 2015”, tha ai.

Sipas Shalës një veprim i tillë është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe nuk i shërben transparencës.

Po ashtu ai akuzon Ahmetin për dështimin e realizimit të projekteve kapitale për periudhën janar-qershor 2015.

“Sipas pasqyrave financiare kryetari Ahmeti, ka dështuar të realizojë projektet, sidomos ka dështuar në realizimin e projekteve kapitale me vetëm 8.85  % të investimeve në periudhën janar qershor 2015”.

Largimi nga puna i shërbyesve civilë po del të jetë shqetësuese për grupin e LDK-së.

“Një dukuri mjaft e ndjeshme që po ndodhë në kuvendin e Komunës së Prishtinës është largimi nga puna i punëtorëve, shërbyesve civilë. Pa procedura ligjore, pa nxjerrje të performancës dhe pa vlerësimin e punës. Largimi i tyre bëhet me një fjali: Nuk do të jesh nesër në punë “, ka thënë Shala.

Sipas tij të larguarit zëvendësohen me aktivistë politikë të vetëvendosjes dhe kjo ndodhë për shkak të favorizimit që i bëhet palëve të caktuara.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/varg-akuzash-per-shpend-ahmetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala