Vapa e madhe e mbush emergjencën me pacientë

Autori:Avdyl Pajaziti

Një numër i madh i njerëzve nuk po mund të përballojnë temperaturat e larta që po mbretërojnë në vend tash e sa ditë. Adresa e tyre padyshim që është Klinika Emergjente, të cilën tash e sa ditë po e vërshon fluksi i pacientëve.

Vetëm gjatë festës së Bajramit dhe ditëve të fundjavës shërbime mjekësore në Emergjencën e QKUK-së në Prishtinë kanë kërkuar rreth 649 të sëmurë. Prej tyre, 60 për qind i takojnë atyre me sëmundje dhe 40 për qind atyre me aksidente në komunikacion.

Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, në një intervistë për KosovaPress, tregon se emergjenca po shënon një numër rekord të personave që po kërkojnë ndihmë mjekësore, kryesisht për shkak të temperaturave të larta. Megjithatë, thotë se kjo klinikë është mjaftë e përgatitur për këto raste. Ai bënë thirrje tek qytetarët që të kenë kujdes, e që nga ora 11:00 deri në 17:00 mos të dalin drejtpërdrejtë në rreze dielli.

Në Klinikën Emergjente zakonisht numri i personave që kërkojnë shërbime emergjente sillet rreth 120 deri në 150 në ditë, ndërsa tani është tejkaluar në 220 raste, e që konsiderohet si numër rekord i të sëmurëve që kërkojnë shërbime emergjente.

“Në shërbime emergjente në këtë periudhë kohore shënohet numri rekordi të sëmurëve të cilët kërkojnë shërbime emergjente për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të temperaturave të larta të cilat po ngjajnë në Evropë, në Ballkan, në regjion, po ashtu edhe në Kosovë. Ky numër kaq i madh atyre që kërkojnë shërbime emergjente mjekësore është drejtpërdrejtë i lidhur nga faktorët fizik, nga ndikimi i temperaturave të larta, që shkaku kryesor dhe kategoria apo njerëzit të cilët më së shumti që prekën nga goditja e diellit janë personat që vuajnë nga sëmundjet kronike”, thotë ai.

Këtu ai përmend sëmundjet e trurit, ato epileptike, shtypja e lartë e gjakut, goditje në zemër, diabetin, të sëmurët hall-lig, të sëmurët që vuajnë nga depresioni, ata me alergji, personat që konsumojnë alkool, të moshuarit dhe fëmijët prej 1 deri 8 vjeç, që siç thotë janë kategoria më e rrezikuar.

Por nuk janë të rrezikuar vetëm ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje. Lenjani sqaron që edhe personat e shëndoshë, pa ndonjë komplikim në shëndetin e tyre rrezikohen nga temperaturat e larta.

“Nuk duhet anashkaluar edhe personat të cilët kanë gjendje të mirë shëndetësore, sidomos ushtarët gjatë stërvitjeve të tyre, studentët të cilët presin për paraqitjen e provimeve, do të thotë edhe kjo kategori e njerëzve mund të rrezikohen nga goditja e diellit të cilat mund të përkeqësohen në gjendjen e tyre shëndetësore”, thotë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vapa-e-madhe-e-mbush-emergjencen-me-paciente/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala