Vala po kthehet

Autori:Avdyl Pajaziti

Operatori publik i telefonisë “Vala”, duket se i ka ndërprerë humbjet. Menaxhmenti i kësaj kompanie të mërkurën kanë deklaruar se gjatë muajit shtatorë kanë performuar thuajse njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Megjithëse nuk janë bërë publike të dhënat se sa ka qenë fitimi i Valas për këtë muaj në një komunikatë për media thuhet se Vala shfaqi një performancë të jashtëzakonshme në muajin që lamë pas.

Të hyrat në operatorin publik në vend, Vala, kanë qenë në rënie të vazhdueshme prej tre vitesh, ndërsa rënia më e madhe ishte gjatë vitit 2014 dhe tremujorin e parë të këtij viti.

“Jemi shumë të kënaqur nga performanca e Vala-s gjatë muajit shtator. Për herë të parë gjatë këtij viti arritëm të jemi pothuajse njëjtë me vitin e kaluar. Rënia në tremujorin e parë të këtij viti, para se unë të merrja detyrën e Drejtorit Menaxhues, mund të them se ishte rapide apo gati e frikshme ndaj dhe të dhënat e muajit shtator më bëjnë të ndihem komod për sa i përket të ardhmes së Vala-s”, tha Drejtori Menaxhues i Vala-s, Agron Mustafa.

Sipas tij, aktiviteti i jashtëzakonshëm që është zhvilluar në periudhën e fundit, ka bërë që Vala të rregullojë pozitivisht performancën e saj operative dhe biznesore.

Gjatë muajit korrik Vala ka pasur të hyra prej 8.5 milionë eurove dhe 9.4 milion euro në muajin gusht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vala-po-kthehet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala