VALA merr 60 për qind të tregut

Autori:Avdyl Pajaziti

Telekomi i Kosovës, VALA, në tremujorin e tretë të këtij viti, ka arritur ta rikthejë një pjesë të tregut, të cilin e kishte humbur përgjatë katër viteve të shkuara, nga 2011 deri në 2015, megjithëse tregu ka pësuar rënie si rrjedhojë e përdorimit masiv të të ashtuquajturave aplikacione që mundësojnë biseda falas.
Telekomi i Kosovës, VALA, ka marrë 60 për qind të të gjitha të hyrave të telefonisë mobile, duke u rikonfirmuar si lider i këtij sektori në Kosovë. Vetëm gjashtë muaj më parë, VALA, zotëronte 56 për qind të tregut.
Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka deklaruar se Telekomi i Kosovës, VALA, është lider i pakontestueshëm. “Shifrat që kemi parë gjatë ditës së sotme janë inkurajuese për të vazhduar drejt rikthimit në pozitat në të cilat
VALA ka qenë gjithnjë, në zotërimin e mbi 70 për qind të tregut. I kemi shërbimet më të mira, më cilësore dhe me çmimet më konkurruese”, ka deklaruar Mustafa. Sipas tij, rikthimi i VALA-s në pozitën e të qenit operator i padiskutueshëm, duhet të ndodhë për shkak të 2300 punëtorëve dhe 20 mijë qytetarëve që varen nga pagat që marrin në Telekomin e Kosovës.
“Të hyrat e gjeneruara për tremujorin e tretë të këtij viti, e veçmas nga shërbimi 3G dhe 4G, janë indikatorë se VALA përditë e më shumë po fiton treg të sigurt të qytetarëve dhe bizneseve, që janë të gatshëm të konsumojnë më shumë duke përzgjedhur ofertat e dizajnuara sipas nevojave të tyre.
Kjo dëshmon se VALA vazhdon ta ketë gjithnjë e më shumë besimin e klientëve, të cilët janë duke përfituar nga ofertat dhe produktet atraktive që ka ofruar dhe do të ofrojë VALA deri në fund të këtij viti”, është thënë në njoftimin e VALA-s.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vala-merr-60-per-qind-te-tregut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala