VALA dhe Eagle Mobile heqin kufirin Kosovë – Shqipëri‏

Autori:Avdyl Pajaziti

Kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë po hiqen edhe nga kompanitë e telefonisë mobile. Madje këta kufij i quajtën artificial drejtuesit e dy kompanive më të mëdha telefonike në Kosovë dhe Shqipëri.

Posta dhe Telekomi i Kosovës dhe Eagle Mobile, kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi që gjatë këtij sezoni verorë t’u mundësohet pushuesve nga Kosova që me çmime të njëjta të shfrytëzojnë numrin e VALA-s edhe në Shqipëri.

Agron Mustafa, drejtor i Postës dhe Telekomit të Kosovës ka folur para gazetarëve rreth kësaj marrëveshje duke e quajtur në të njëjtën kohë si shumë të rëndësishme.

 

“Qëllimi kryesor i këtij memorandumi të mirëkuptimit është që ne gjatë këtij sezoni veror të jemi gati apo të jemi të gatshëm që të gjithë pushuesve kosovarë të cilët do ta shfrytëzojnë bregdetin e Shqiptar për pushimet e tyre verore si dhe të gjithë ata qe vinë nga diaspora që ata të mos brengosen, të mos kenë shqetësime edhe të çmimeve të telefonisë mobile apo në këtë rast edhe të shërbimeve të internetit, mirëpo me një numër të cilin do e marrin tek vala këtu tek ne me të njëjtat shpenzime do e kenë mundësinë që të flasin apo edhe ti kenë shërbimet e internetit në Republikën e Shqipërisë cofshin ato të telefonisë mobile sa i përket romingut gjithashtu edhe të shërbimeve të internetit”, tha Mustafa.

I gëzuar është shfaqur edhe drejtori i kompanisë Eagle Mobile, Erkan Tabak, i cili për fillimin e kësaj marrëveshje tha se popujt e dy vendeve janë të njëjtë dhe se kanë vendosur që t’i heqin kufijtë artificial mes dy kompanive.

 

“Kjo verë do të jetë krejt e ndryshme për qytetarët e dy vendeve në fushën e telekomunikacionit. Ajo që ne kemi bërë së bashku është që përdoruesit e Valës dhe përdoruesit e Eagle Mobile do të munden t’i përdorin numrat e tyre në dy vendet tona si të jenë në shtëpinë e tyre dhe ne besojmë se ky bashkëpunim do të përfshijë shërbimet e zërit pra të telefonisë fikse por edhe të shërbimeve të internetit dhe do të përpiqemi që këto shërbime në telefoninë celulare ne vetë ti sjellim para fillimit të sezonit turistikë të këtij viti”, tha Tabak.

Mustafa dhe Tabak, thanë para medieve segjatë sezonit verorë në Shqipëri çmimet dhe ofertat për përdorim të telefonisë dhe internetit do jenë me çmimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e të dyja vendeve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vala-dhe-eagle-mobile-heqin-kufirin-kosove-shqiperi%e2%80%8f/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala