Vajzat prijnë në arritjet akademike në botë

Autori:Avdyl Pajaziti

Vëmendje e konsiderueshme i është kushtuar asaj se si krahasohen arritjet e djemve në shkencë dhe matematikë me ato të vajzave në ato fusha, shpesh duke çuar në supozimin se djemtë ua kalojnë vajzave në këto fusha.

Tani, duke përdorur të dhëna ndërkombëtare, hulumtuesit në Universitetin e Missourit dhe Universitetin e Glasgow në Skoci, kanë përcaktuar se vajzat performojnë më mirë se djemtë në arritjet arsimore në 70 për qind të vendeve që i hulumtuan – pavarësisht nga niveli i përkatësisë gjinore, politike, ekonomike ose barazisë sociale.

“I kemi studiuar nivelet e arritjeve arsimore të 1.5 milionë 15-vjeçarëve nga e gjithë bota duke i përdorur të dhënat e mbledhura në mes të viteve 2000 dhe 2010,” tha David Geary, profesor i shkencave psikologjike në Kolegjin e Arteve dhe Shkencave në MU. “Edhe në vendet ku liritë e femrave janë rreptësisht të kufizuara, kemi zbuluar se vajzat ua kalojnë djemve në lexim, matematikë dhe shkencë në moshën 15-vjeçare, pavarësisht nga përkatësia politike, ekonomike, barazia sociale apo gjinore dhe politikat e hasura në këto vende”.

Sipas të dhënave, djemtë janë prapa vajzave në arritjen e përgjithshme në lexim, matematikë dhe shkencë në 70 për qind të vendeve të studiuara. Djemtë ua tejkalojnë vajzave në vetëm tri vende ose rajone: Kolumbi, Kosta Rikë dhe shtetin indian Himachal Pradesh. Djemtë dhe vajzat kishin arritje të ngjashme arsimore në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Në vendet e njohura për rejting relativisht të ulët të barazisë gjinore, të tilla si Katari, Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, hendeku i arritjeve arsimore është relativisht i madh dhe i favorizon vajzat.

Një përjashtim në mbarë botën është në mesin e studentëve në kombet ekonomikisht të zhvilluara ku djemtë me arritje të mëdha i tejkalojnë vajzat me arritje të mëdha, thanë studiuesit.

“Me përjashtim të arritësve të lartë, djemtë kanë rezultate më të dobëta arsimore sesa vajzat në mbarë botën, pavarësisht treguesve të barazisë sociale,” tha Gijsbert Stoet, nga Universiteti i Glasgow.

“Rezultatet tregojnë se vetëm një angazhim për barazinë gjinore nuk është i mjaftueshëm për t’i plotësuar hendeqet e duhura në arsimimin global; hendeku nuk është në rritje. Edhe pse është jetike që ta promovojmë barazinë gjinore në shkolla, gjithashtu duhet të sigurohemi që jemi duke bërë më shumë për të kuptuar se pse vazhdojnë këto hendeqe, sidomos në mesin e djemve, dhe çfarë politika të tjera mund të zhvillojmë për t’i mbyllur ato.”

Studimi gjithashtu ka implikime të rëndësishme për politikën arsimore, thanë studiuesit.

“Të dhënat do të ndikojnë se si politikëbërësit mendojnë për opsionet që janë në dispozicion,” tha Geary. “Për shembull, për t’i rritur nivelet e mundësive të barabarta në arsim. Ne besojmë se politikëbërësit dhe mësimdhënësit nuk duhet të presin që progresi i gjerë në barazinë sociale detyrimisht të rezultojë në barazinë arsimore. Në fakt, kemi konstatuar se me përjashtim të arritësve të lartë, djemtë kanë rezultate më të dobëta arsimore sesa vajzat nëpër botë, pavarësisht prej treguesve të barazisë sociale. Prandaj, për t’i plotësuar në mënyrë efektive hendeqet në arritje, politikëbërësit e arsimit duhet t’i marrin parasysh faktorët përveç faktorit politik, ekonomik dhe barazisë sociale, dhe sidomos lidhur me arritjen e përgjithshme të djemve dhe interesit të vajzave me arritje të lartë në matematikë dhe shkencë”.

Studimi “Dallimet gjinore në arritjet akademike nuk janë të lidhura me barazinë politike, ekonomike apo sociale”, së fundi u publikua në revistën e shqyrtuar prej ekspertëve, “Intelligence”.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vajzat-prijne-ne-arritjet-akademike-ne-bote/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala