Ura e incidenteve rivitalizohet

Autori:Avdyl Pajaziti

Ura kryesore e lumit Ibër, e cila praktikisht ndan Mitrovicën në dy pjesë, veri dhe jug, do të mbyllet më 15 tetor dhe nuk do të jetë e kalueshme as për këmbësorë, të paktën deri në qershorin e vitit 2016, gjatë së cilës kohë ura do të rivitalizohet sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, më 25 gusht. Me këtë marrëveshje do të largohet edhe i ashtuquajturi “Park i paqes”.

Në urën kryesore të Ibrit, në të cilën serbët kishin vendosur një barrikadë prej zhavorri e betoni, në korrikun e vitit 2011, ndërsa në qershorin e vitit 2014 atë e kishin zëvendësuar me një barrikadë tjetër në formë parku, prej vitit 1999 janë regjistruar mbi 1 mijë incidente, 95 e të cilave janë provokuar nga ekstremistë serbë, “Roja të urës”, por edhe nga “Civilna Zastita”, shkruan “Zëri”.

Barrikada e ashtuquajtur “Parku i Paqes” është vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm pak orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë. E gjithë kjo ndodhi si rezultat i kundërshtimit ndaj përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë, në kufi me Serbinë, në korrik të vitit 2011.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ura-e-incidenteve-rivitalizohet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala