UP zvogëlon numrin e studentëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Universiteti i Prishtinës nga nesër do të shpallë konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2015/2016.

Në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen rreth 7 mijë e 800 studentë, prej të cilëve 7 mijë e 330 të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë. Kuotat e studentëve i ka miratuar Ministria e Arsimit, ndërkohë, shtatë fakultetet që kanë pranuar studentë pa provim pranues, sivjet do të kenë provim.

Universiteti i Prishtinës, ka ulur ndjeshëm numrin e studentëve të cilët do të pranohen në vitin e ri akademik 2015/2016. Radio Kosova ka siguruar vendimin e Ministrisë së Arsimit, e cila ka vendosur që krahasuar me vitin e kaluar akademik, këtë vit numri i studentëve që do të pranohen në Universitetin e Prishtinës është zvogëluar për 2 mijë e 724 studentë. Prorektorja për mësim në Universitetin “Hasan Prishtina”, Eda Vula, tha për Radio Kosovën, se për këtë vit akademik do të regjistrohen 7 mijë e 880 studentë, prej të cilëve 7 mijë e 330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë.

“Të gjitha njësitë akademike kanë bërë një analizë të stafit dhe kushteve të tjera përcjellëse, të cilat na kanë detyruar që të reduktojmë numrin e studentëve. Pra, numri i studentëve është propozuar nga njësitë akademike, është aprovuar në Senat, mbështetur në kushtet dhe stafin që ne posedojmë. Kemi bërë një ndryshim apo zvogëlim të numrit të studentëve, gjithsesi duke u mbështetur në nevojat që ka shoqëria jonë por edhe duke u bazuar në kushtet që mund të ofrojmë, gjithmonë për hir të ngritjes së cilësisë.” tha Eda Vula.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/up-zvogelon-numrin-e-studenteve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala