UP-ja me investime të pakta kapitale

Autori:Gazeta Fjala

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” pavarësisht nevojës së madhe për investime kapitale nuk e ka shfrytëzuar mjaftueshëm buxhetin që ka pasur në dispozicion, të paktën jo deri në fillim të muajit tetor.

Ky institucion ka investuar vetëm 16.8 për qind të buxhetit për investime kapitale. Ndërkohë që projekti i vetëm kapital që ka bërë universiteti këtë vit është fillimi i ndërtimit të objektit të Fakultetit të Mjekësisë.

Kritika për keqmenaxhim të buxhetit kanë ardhur nga Zeqir Veselaj anëtar i Këshillit Drejtues ndaj  menaxhmentit të universitetit.

Veselaj në mbledhjen e KD-së, ditën kur edhe ishte votuar për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, ka paraqitur shqetësimet e këshillit rreth menaxhimit të buxhetit publik. Sipas tij, buxheti që është ofruar për investime kapitale është shfrytëzuar pak.

“Vetëm 16.8  për qind e buxhetit kapital është shfrytëzuar deri me 30 shtator 2015, meqenëse jemi nga fundi i vitit fiskal atëherë mund ta merrni me mend edhe sa do të mund të shfrytëzohet” ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës për vitin 2015 kishte ndarë shumën prej 25 milion euro për Universitetin e Prishtinës. Universiteti e ka shfrytëzuar atë në masën 61.57 përqind.

Nga të cilat për shpenzime kapitale ka pasur në dispozicion 3 milion e 449 mijë e 462 euro.

Por, Arbnor Pajaziti prorektor për buxhet dhe financa në Up e ka arsyetuar mos shfrytëzimin e buxhetit për investime kapitale me procedurat e stërzgjatura të prokurimit në këtë kategori.

Ai thotë se deri në fund të vitit fiskal pritet që universiteti të ekzekutoj deri në 80 përqind buxhetin për projekteve kapitale.

“Vonesa të ekzekutimit të pagesave ka pasur edhe për shkak të parregullsive që janë paraqitur gjatë implementimit të projekteve, ku është dashur që të intervenohet në evitimin e lëshimeve që operatorët ekonomikë i kanë bërë gjatë punimeve.” ka thënë Pajaziti për Gazetën Fjala.

Institucioni më i madh publik i arsimit në vend, ishte kritikuar edhe vitin e kaluar nga Auditori i Përgjithshëm për mos shfrytëzimin e mjeteve për investime.

Sipas raportit të ZAP-it në vitin 2014, UP ka përdorur 84 përqind të buxhet final, me një shkallë më e ulët për 4% krahasuar me një vit më herët.

Vlera e buxhetit të pa shpenzuar në fund të vitit 2014 ishte 5 milion e  389 mijë 547 euro. Derisa pjesa më e madhe e buxhetit është realizuar për paga dhe meditje pra 72 përqind.

“Përgjithësisht, niveli i realizimit të buxhetit është jo i kënaqshëm”, shkruan në këtë raport.

Nga ana tjetër universiteti i Prishtinës e ka përdorur në masë të madhe buxhetin e ndarë për paga dhe meditje. Në periudhën nëntë mujore, janar-shator të këtij viti, janë shpenzuar mbi 15 milion euro.

“Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pagesën e provojës së punës, d.m.th., është rritur kostoja e pagave në UP, ku rrjedhimisht në shumat totale nuk vërehet kursimi, pasi që kostoja e provojë së punës në UP për një muaj është 119,000.00€ dhe kemi një shpenzim më të lartë në vitin 2015”, tha prorektori për financa Arbnor Pajaziti.

Ndërkohë që UP-ja ka filluar vetëm ndërtimin e objektit për Fakultetin e Mjekësisë,  projektet tjera që ishin paraparë të ndërtoheshin janë edhe vazhdimi i ndërtimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, fillimi i ndërtimit të objektit të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, si dhe ndërtimin e nyjeve sanitare në Fakultetet Teknike. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/up-ja-me-investime-te-pakta-kapitale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala