UNESCO më 3 tetor shqyrton kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Autori:Avdyl Pajaziti

Më 3 tetor, Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të OKB-së.

Lajmi që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Agjencinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të njohur shkurtimisht si UNESCO, ka ngjalluar reagimin e qeverisë së Serbisë. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se vendi i tij do të bëjë çmos, që Kosova të mos anëtarësohet në UNESCO.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi i tha Radio Kosovës se Serbia e ka të pamundur të pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, sepse për anëtarësim në këtë Agjenci, vendet anëtare nuk kanë të drejtë vetoje.

Fakti që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, e Serbia po, Selimi thotë se nuk ka rëndësi, sepse i beson lobimit të madh që është bërë në këtë drejtim. Zëvendësministri Selimi më tutje shpjegon procedurat që do të ndiqen nga UNESCO-, për të pranuar, apo jo, Kosovën.

“Ligjërisht Kosova ka të drejtë të aplikojë për UNESCO, sepse nuk nevojiten 2/3 e votave dhe ka shumë shtetet tjera evropiane që janë bërë anëtare të UNESCO-s, para se të bëhen anëtare të OKB-së. Nuk ka veto, është me rëndësi që fillimisht të arrihen gjysma e votave në Këshillin Ekzekutiv më 3 tetor dhe pastaj nevojiten 2/3 e votave në Konferencën e Përgjithshme që do të mbahet në fillim të nëntorit. Ne jemi të bindur që do të arrijmë t’i sigurojmë 2/3 e votat në nëntor”, tha ai.

Ndryshe, zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi thotë se anëtarësimi i Kosovës, në UNESCO, do të ishte ndoshta një vendim i rëndësishëm edhe në aspektin politikë për vendin.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ishte fitorja më e madhe e diplomacisë kosovare, që nga shpallja e vendimit të GJND-së. Me anëtarësim në UNESCO do të hapeshin dyert për Kosovën, në arenën ndërkombëtare, duke përfshi edhe aderimin e Kosovës, në shumë konventa të OKB-ës, dhe përnjëherë zëri ynë do të ishte shumë i rëndësishëm në agjencitë e tjera të OKB-së”, u shpreh zëvendësministri.

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, është themeluar në nëntor të vitit 1945. UNESCO, ka 195 anëtarë të rregullt dhe nëntë anëtare të asociuara, të cilat nuk kanë të drejtë vote. Udhëhiqet nga Konferenca e Përgjithshme dhe Bordi Ekzekutiv. Sekretariati, i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm, zbaton vendimet e këtyre dy mekanizmave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/unesco-me-3-tetor-shqyrton-kerkesen-e-kosoves-per-anetaresim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala