Ulje historike e interesit të euros

Autori:Avdyl Pajaziti

Aktualisht, bankat në Europë po kreditojnë njëra-tjetrën jo vetëm pa marrë interes, por madje po paguajnë për të “hequr qafe” paranë “cash”, që kanë në arkat e tyre. Për shkak të injektimit masiv të likuditetit nga Banka Qendrore Europiane, tregu është i tejmbushur me euro dhe kjo po i rrëzon me shpejtësi normat e interesit, në të gjithë spektrin financar.

Pak ditë më parë, Qeveria e Spanjës arriti të marrë borxh me interes negativ -0.029 për qind. Kjo, në një kohë kur, vetëm dy vjet më parë, Spanja ishte në prag të falimentit buxhetor dhe nuk kreditohej nga askush.

Rënia dramatike e çmimit të euros në treg bën presion për uljen e interesave të kredive, që qytetarët kanë marrë në këtë monedhë, jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe jashtë tij.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në dy vitet e fundit, interesi i kredisë në euro për të gjitha afatet e maturimit ka rënë, nga 7.03 në 6.34 për qind. Rënia e euriborit bën presion, që interesat e kredive të ulen edhe më tej, edhe pse më shumë se me interesat ngërçi i kredive në tregun vendas duket i lidhur me të tjerë faktorë.

Bankat me origjinë nga Eurozona duket se janë vënë në pritje, duke ruajtur, e madje edhe ulur, ekspozimin në tregun shqiptar, veçanërisht për investimet në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me vitin e kaluar, kredia në monedhën europiane për bizneset u rrit me vetëm 1.9 për qind në vlerë nominale, ndërsa për individët u tkurr.

Nga ana tjetër, veç oreksit të paktë të bankave për të dhënë kredi në euro, edhe kërkesa e ndërmarrjeve dhe individëve mbetet e dobët. Kjo bën, që kredia të mbetet në ngërç dhe ekonomia të përfitojë pak nga paraja e lirë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ulje-historike-e-interesit-te-euros/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala