Ulja e pesëshes politike në një tryezë, opsion i pamundur

Autori:Gazeta Fjala

Ditëve të fundit janë shtuar zërat se zgjidhja e vetme për të dal vendi nga kriza politike është dialogu në mes të pesë liderëve politik, partitë e së cilëve janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.Mirëpo se a është kjo një mundësi që duhet shqyrtuarnga këto subjekte, nuk është se po gjen shumë përkrahje nga partitë politike në vend.

Derisa për pozitën është e papranueshme çdo tentim për të zhvendosur debatin jashtë Kuvendit, për subjektet opozitare kjo më nuk është mundësi reale.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu në një prononcim për KosovaPress tha se zgjidhja e situatës politike në vend duhet të jetë brenda institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se çdo opsion tjetër është i papranueshëm.

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në një prononcim përmes telefonit tha se dialogu në mes të palëve është i domosdoshëm.

Ndërkohë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi për KosovaPress deklaroi se kriza politike në vendka filluar që me nënshkrimin e dy marrëveshjeve në Bruksel, më 25-26 gusht. Në një situatë të tillë, opozita sipas tij, ka reaguar dhe po reagon me të gjitha metodat që ka në dispozicion.

Çaushi thotë se një takim i përbashkët në mes të liderëve të pozitës dhe opozitës nuk konsiderohet si mundësi reale.

Dialogun me kryeministrin Isa Mustafa dhe Hashim Thaçin, nuk është një opsion të cilin kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e përjashton, por se kjo nuk mundet të përdoret vetëm si mbulesë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Shefja e Grupit Parlamentar të Nisma për Kosovën Valdete Bajrami tha se ideja e një tryeze të përbashkët, e dialogut ka kohë që është propozuar nga lideri i Nisma për Kosovën, por se kjo nuk është përfillur nga kryeministri Mustafa e as nga kabineti i tij.

Në anën tjetër për tejkalimin e situatës së fundit të krijuar në vend, deputeti nga radhët e LVV, Ilir Deda ka hedhur idenë përmes një letër të hapur drejtuar krerëve të partive politike se duhet të ulen të pestë prej tyre në një tryezë e që përmes dialogut të arrijnë një kompromis./KP/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ulja-e-peseshes-politike-ne-nje-tryeze-opsion-i-pamundur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala