Ujësjellësi kërkon që uji i Batllavës të mos pihet deri në pastrimin e tij

Punimet teknike dje në fshatin Lupq dhe Vranidoll, sot shkaktuan turbullirë të ujit të pijshëm te konsumatorët që furnizohen nga sistemi i Batllavës.
KUR “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i fabrikës së Batllavës, , se mund të ketë çrregullime në sistemin e rrjetit të ujësjellësit rreth 6 orë.
Ujësjellsi njoftoi se u detyrua të ndërpresë prodhimin e ujit nga sistemi i Batllavës rreth 6 orë, për shkak të dëmtimit të valvolave të rrjetit të ujit që e rregullojnë sistemin e furnizimit me ujë për fshatrat Lupq dhe Vranidoll.
“Dëmtimi i këtyre valvolave të ujit ka ardhur si shkak i vjetërsisë së tyre dhe manipulimit të tyre nga ana e personave të panjohur dhe të pandërgjegjshëm, ku si pasojë ka ardhur deri te mungesa e ujit në fshatrat Lupq dhe Vranidoll, 4 ditë rresht”, njofton KUR “Prishtina”.
Tutje në njoftim theksohet se me përfundimin e punimeve që u realizuan dje nga ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, furnizimi me ujë të pijshëm iu kthye normalitetit.
““Kërkojmë nga qytetarët fillimisht të mos shqetësohen, dhe të kenë kujdes ditën e sotme, që ujin e pijshëm që vjen nga sistemi i Batllavës ta përdorin për higjienë dhe destinime tjera, përveç për pije jo, deri në stabilizimin e turbullirës, e që pritet shumë shpejtë”, përfundon njoftimi i KUR “Prishtina”.