UEFA kërkon shtyrjen e kongresit të FIFA-s pas skandalit të korrupsionit

Autori:Zekirja Shabani

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s kërkon shtyrjen e kongresit të FIFA-s dhe të zgjedhjes së presidentit të saj, deklaroi sot në Varshavë sekretari i përgjithshëm i institucionit evropian të futbollit, Gianni Infantino pas skandalit të ri të korrupsionit që ka goditur instancën më të lartë të futbollit botëror.

“UEFA konsideron se kongresi i FIFA-s duhet të shtyhet, në ndërkohë që duhet të shtyhet edhe me gjashtë muaj zgjedhja e presidentit të ri të saj, parashikuar për të premten”, deklaroi Infantino, transmeton AFP.

Gjashtë zyrtarë të botës së futbollit, të dyshuar për korrupsion, u arrestuan sot në Zyrih me kërkesë të autoriteteve amerikane, theksuan autoritetet zvicerane, dy ditë nga zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, ndërkohë që presidenti Joseph Blatter kandidon për një mandat të pestë.

“Policia zvicerane arrestoi gjashtë funksionarë të futbollit me kërkesë t ë autoriteteve amerikane. Përfaqësues të medias sportive dhe kompanive të marketingut sportiv ishin të përfshirë në pagesat për funksionarët e lartë të organizatave futbollistike (të deleguarit e FIFA-s dhe persona të tjerë që i përkisnin organizatave të anëtarësuara në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit) në këmbim të të drejtave mediatike dhe të drejtave të marketingut në kompeticionet e organizuara në SHBA dhe Amerikën e Jugut”, theksoi Ministria zvicerane e Drejtësisë në një komunikatë.

“Ata dyshohen se kanë marrë shuma disa milionëshe nga vitet 1990 deri në ditët tona”, theksojnë autoritetet zvicerane.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/uefa-kerkon-shtyrjen-e-kongresit-te-fifa-s-pas-skandalit-te-korrupsionit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala