Udhëtimet luksoze të Vlora Çitakut  

Autori:Zekirja Shabani

Vlora Çitaku, sa ishte Ministre e Integrimeve Evropiane nuk pranonte të udhëtonte me çfarëdo avioni. Ajo preferonte që udhëtimi i saj të ishte komod dhe në klasën më të lartë. Për dy udhëtime zyrtare jashtë vendit Auditori Gjeneral, ka gjetur se në vitin 2014 nga kabineti i saj ishin rezervuar bileta të klasit biznes.

“Vlera e tyre ishte 9,440€, përderisa biletat e klasës ekonomike për të njëjtin relacion ishin 3,722€, duke shkaktuar në këtë rast mbishpenzim prej 5,718€”, thuhet në raportin e auditorit për Ministrinë e Integrimeve.

Sipas këtij raporti, ishin paguar dy bileta të klasit biznes në relacion Prishtinë-Romë-Washington në vlerë 3,681 euro, dhe Washington Stamboll-Prishtinë në vlerë 3,603 euro.

Sipas UA nr. 2004/07, për udhëtime zyrtare kërkesa për udhëtim duhet të bëhet së paku 5 ditë pune para nisjes, gjithashtu specifikohet se klasa e lejuar për udhëtime zyrtare me aeroplan është klasa ekonomike.

Nga shqyrtimi i shpenzimeve për udhëtimet zyrtare audoitori ka gjetur një mori shkeljesh. Maje tejkalim enorm i buxhetit të lejuar, që sipas raportit janë paguar dyfish më shumë para se që kishte ministria në dispozicion për këtë punë.

Shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit ishin tejkaluar ndjeshëm në raport me buxhetin fillestar. Planifikimet buxhetore për këtë lloj shpenzimi nuk përkonin me kërkesat dhe nevojat reale.

“Shpenzimet vjetore nga kjo nënkategori ishin 410,898€ ndërsa ishin buxhetuar 205,198€”, thuhet në raport.

Planifikim jo real buxhetor kishte edhe për nënkategorinë e shpenzimeve për dreka zyrtare. Nga 140,000€ të planifikuara, ishin realizuar vetëm 39,872€.

“Rreziku Planifikimet e dobëta buxhetore dhe devijimi nga programi buxhetor duke mbishpenzuar njërën kategori në dëm të kategorisë tjetër vështirëson arritjen e objektivave të synuara të organizatës. Situatat e tilla mund të rezultojnë në deficit ose suficit të paplanifikuar, me ndikim në reduktimin e efektivitetit të veprimtarisë së organizatës”, thuhet n raport.

Keqpërdorim të parasë së taksapaguesve është vërejtur edhe sa i përket shpenzimeve të akomodimit. Këto shpenzime vetëm për tre udhëtime zyrtare ishin tejkaluar në vlerë 1,335 euro, për të cilat nuk kishte ndonjë shpjegim të vlefshëm të dhënë për këto raste.

Tejkalimet ishin aprovuar nga asistentja ekzekutive e Ministres.

“Rreziku Mos veprimi sipas kërkesave ligjore dhe Udhëzimit Administrativ përkatës ka rezultuar me mbipagesa duke ngarkuar buxhetin e organizatës”.

Parregullsi janë hasur në delegimin e përgjegjësive.

Sipas auditorit, shpenzimet ishin autorizuar nga zyrtari për të cilin nuk kishte dëshmi relevante se të njëjtit i është deleguar përgjegjësia nga menaxhmenti për të autorizuar pagesën e shpenzimeve. Gjithashtu edhe emërimi i menaxherit të kontratës ishte në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.

Në dy raste, MIE kishte caktuar menaxher të kontratave zyrtaren e prokurimit. E njëjta kishte nënshkruar edhe raportin e pranimit për evidenca të thesarit/SIMFK.

Veprimi i tillë është në kundërshtim me kërkesat e udhëzuesit operativ të prokurimit publik, si dhe me procedurat e MFK-së./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/udhetimet-luksoze-te-vlora-citakut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala