Udhëtimet detare turistike “hallall”

Autori:Avdyl Pajaziti

Duke parë një treg gjithnjë e në rritje, me një interes e tërheqje të jashtëzakonshme, një kompani turke me bazë në Antalja, Fusion Tour, do të eksperimentojë në udhëtimin detar që do të organizojë në shtator drejt Greqisë.

Gjithçka në anijen turistike do të jetë në përputhje me vlerat fetare islame. Nuk do të ketë pije alkoolike, prodhime me mish derri, e as lojëra kumari. Qendrat sportive do të jenë më vete për meshkujt dhe femrat, po ashtu dhe hapësirat e tjera shplodhëse, si dhe banjat turke e mesxhidet.

Turizmi “hallall”, e posaçërisht hotelet e klasifikuara si të tilla, kanë qenë në ekspansion gjatë viteve të fundit, por një udhëtim detar turistik “hallall” do të kryhet për herë të parë.

Lundrimi turistik “hallall”, i emërtuar “Në gjurmët e otomanëve”, do të nisë më 27 shtator nga një port i Izmirit, për të vijuar drejt ishujve grekë të Rodit dhe Kretës, e më pas për në Pire.

Drejtori i përgjithshëm i firmës turistike shpjegon se nuk do të jetë vetëm një udhëtim pa pije alkoolike e prodhime me mish derri. Sipas tij, “ka për të qenë një udhëtim kulturor dhe historik, që premton një atmosferë të ndërkomunikimit shoqëror.”

Projektuesit e këtij udhëtimi tregojnë se interesi është i lartë megjithëse sapo është dhënë njoftimi për të, e kjo për shkak të kërkesave të shumta për këtë koncept turistik. Ata të shpjegojnë se gjërat janë menduar aq në detaje, sa në muret e anijes turistike nuk gjen asnjë tablo që të bjerë në kundërshtim me vlerat islame.

Organizatorët po mendojnë që të përgatisin në muajt e ardhshëm paketa turistike të këtij lloji ku të përfshihen dhe vende të tjera për t’u parë, duke synuar të tërheqin jo vetëm turqit, por edhe muslimanët anekënd botës.

Ndërsa ky është udhëtimi i parë turistik detar “hallall,” hotelet “hallall” në Turqi janë shtuar në numër prej kohësh. Vetëm 27 hotele të tilla gjendeshin në vend para vitit 2007, por numri i tyre u dyfishua në pesë vitet që pasuan.

Turistët arabë po e bëjnë gjithnjë e më tepër destinacion të tyre Turqinë. Numri i tyre në vitin 2013 ishte 2 milionë, e një vit më pas turistët arabë që vizituan Turqinë u soll në rreth 3 milionë.

Por në mendjen e agjentëve turistikë turq nuk janë vetëm arabët, por tërë muslimanët, duke patur si qëllim ta kthejnë Turqinë dhe në një qendër të turizmit “hallall”.  /tesheshi.com/    

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/udhetimet-detara-turistike-hallall/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala