U mbajt ceremonia e certifikimit të Përmbaruesve Privatë

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të dhjetë Përmbaruesve Privatë në Republikën e Kosovës.
Gjatë kësaj ceremonie, siç bëhet e ditur nga një njoftim i kësaj ministrie, ministri Kuçi ka folur për rëndësinë që ka ky profesion duke kontribuar fillimisht në plotësimin e standardeve në shërbim të qytetarëve si dhe në kompletimin e arkitekturës së drejtësisë në Republikën e Kosovës.
“Duke ndërtuar sistemin e Përmbaruesve Privatë, atë të Noterisë, të Ndërmjetësuesve, Administratorëve Falimentues dhe të Arbitrazhit, ne plotësojmë arkitekturën e drejtësisë që tanimë është realitet në Republikën e Kosovës. Kjo do t’i ndihmojë gjyqtarëve, prokurorëve në zgjidhjen e lëndëve, por mbi të gjitha do të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Kuçi.
Ministri Kuçi në fjalën e tij ka premtuar përkrahjen e tij si Ministër i Drejtësisë, duke kërkuar nga përmbaruesit e rijnë që të respektojnë ligjin dhe të veprojnë brenda kompetencave që i parasheh ligji duke theksuar se Përmbaruesit Privatë do ta kenë edhe një komision për inspektimin e punës së tyre.
“Ju do ta keni fuqinë e plotë ligjore për punën tuaj, por njëkohësisht do ta keni edhe mbikëqyrjen e plotë ligjore që punën tuaj ta realizoni sipas ligjit”, shtoi Ministri Kuçi.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe Kryetarja e Odës së Përmbaruesve Privatë, Emine Sherifi-Lubeniqi dhe anëtarët tjerë të komisionit për dhënien e provimit për Përmbarues Privat. /Telegrafi/