U konfiskuan 700 mijë euro pasuri të paligjshme

Autori:Zekirja Shabani

Disa deputetëve e zyrtarëve të lartë të shtetit u janë konfiskuar rreth 700 mijë euro pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme gjatë vitit 2014. Ndërkaq po këtë vit atyre u është sekuestruar pasuri në vlerë rreth 24 milion euro.

Kështu ka bërë të ditur Rrahim Rama, drejtor i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar në një debat me  të organizuar nga FOL, me temë “Konfiskimi i pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare me për sfidat ligjore në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”.

“Gjatë vitit 2014 kemi marrë 76 urdhëresa nga Gjykatat ku 63 kanë qenë për sekuestrim dhe 13 prej tyre kanë qenë për konfiskim”, ka thënë Rama.

Ai ka sqaruar se duhet të bëhen dallimet mes sekuestrimit, ngrirjes dhe konfiskimit.

“Sekuestrimi është përkohësisht deri në vendimin tjetër të gjykatës, pasuria e ngrirë është që pala nuk ka të drejtë që atë pasuri ta shfrytëzoj, shes, ndërkaq me vendimin për konfiskim ajo pasuri ka të drejt të shitet dhe parat të kalojnë në buxhetin e Kosovës”.

Sipas tij sfidë e Agjencionit mbetet organizimi i ankandeve, ngase për këtë kanë marrë kritika edhe nga Raporti i Progresit i Be-së.

“Edhe në Raportin e Progresit kemi pas vërejtje që kemi mbajt vetëm 6 ankande, mirëpo ne duhet të presim vendimet e gjykatave për të vazhduar më tutje”, deklaroi Rama.

Sa i përket bashkëpunimit ndërinstitucional, Rama tha se viti i kaluar ka qenë një vit shumë i mirë sa i përket bashkëpunimit me institucionet tjera, ku edhe emërimi i Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomi ka luajt një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, mirëpo duhet të ketë më shumë bashkëpunim sidomos me Prokurorinë dhe Gjykatat.

Ndërkaq sa i përket bazës ligjore në fuqi, ai tha se janë duke punuar në ndryshimet e ligjit aktual.

“Jemi në fazën përfundimtare të amandamentimit të ligjit të cilin së shpejti do ta dërgojmë në qeveri për miratim”.

Rama deklaroi se pasuria që e administron kjo Agjenci, shkon vetëm në Buxhetin e Republikës së Kosovës, mirëpo ka disa raste të caktuara kur Gjykata i jep të drejtë dëmshpërblimi palës së dëmtuar.

Ai tha se Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar nuk administron pasurinë që sekuestrohet nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Doganat e Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/u-konfiskuan-700-mije-euro-pasuri-te-paligjshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala