U kapën të gjallë, policia i shpalli të vdekur

Dy nga udhëheqësit e grupit të armatosur, Mirsad Ndrecaj – komandant “Nato”, dhe Beg Rizaj i njohur si komandant “Begu”, konfirmohet se janë në mesin e të vrarëve në përleshjen e ndodhur ditë më parë në Kumanovë të Maqedonisë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar zyrtarisht për mediet në Maqedoni se trupi i Ndrecajt dhe i Rizajt janë në mesin e të vrarëve në aksionin policor të Kumanovës.
Sipas këtij njoftimi, identiteti i dy të vrarëve është vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e INTERPOL-it në Shkup dhe se tek Mirsad Ndrecaj janë gjetur dokumentet e tij personale të identifikimit.
“Deri më tani është konfirmuar identiteti i Mirsad Ndrecajt, i lindur më 17.06.1979, nga Kosova, i ashtuquajtur komandant “Nato”, për të cilin kishte dyshime se është një nga udhëheqësit e grupit të armatosur.
Gjithashtu, konfirmohet edhe identiteti i Beg Rizajt i lindur më 25.12.1977, nga Kosova, i njohur si komandant “Begu””, thuhet në njoftimin e MPB-së të Maqedonisë/Zeri/.