U kapën 672 kilogram marihuanë

Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e përvitshëm për luftën kundër drogave në botë, që iu dorëzoi kongresit, ka konstatuar se Kosova bashkërendon përpjekjet e disa agjencive për luftë kundër trafikimit të narkotikëve dhe është duke zbatuar strategjinë kombëtare kundër drogave dhe planin veprues pesë vjeçar që synon zvogëlimin e ofertave dhe kërkesave bashkërendimin e brendshëm dhe atë me partnerët ndërkombëtarë.
Në raport thuhet se në periudhën ndërmjet janarit dhe shtatorit të vitit 2014, autoritetet e Kosovës, kanë konfiskuar 672 kilogram marihuanë, 21 kilogramë drogë të tipit kokainë dhe më pak se dy kilogramë të tipit heroinë. Këto të dhëna dëshmojnë shtimin e konfiskimeve të marihuanës dhe kokainës nga viti 2013, sikundër edhe rënie të konfiskimit të heroinës.
Policia ka konfiskuar mbi 5 mijë fara të canabisit dhe mbi 3 mijë e 700 bimë të marihuanës.
Në raport thuhet se faktorët negative që ndikojnë në luftën e Kosovës kundër trafikimit të narkotikëve janë pozita e saj gjeografike bashkë me rrugët tradicionale të kontrabandës; integrimi jo i plotë i komunave veriore; ekonomia e varfër; mosnjohja nga disa vende të rajonit dhe sistemi jo i frytshëm i menaxhimit te kufirit, transmeton QIK.
Departamenti i Shtetit thekson se nuk ka raporte gjithëpërfshirëse që vlerësojnë përdorimin e drogave në Kosovë. Gjykuar nga informacionet në dispozicion, shumica e përdoruesve janë meshkuj dhe marihuana është zgjedhja e tyre.